Qeveria e Kosovës mban mbledhje, këto janë tri vendimet që mori

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike në të cilën ka marrë tri vendime.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rialokimin e 320 mijë e 428 eurove për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në shërbim të zbatimit të Programit “Masat preventive – intervenime emergjente” nëpër komuna të ndryshme.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme, të konfiskuar me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në shfrytëzim për Odën e Ndërmjetësuesve të Kosovës.
Qeveria ka aprovuar vendimin për të kërkuar nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e trajtimit të Ujërave të zeza në Ferizaj.