Rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, Prokuoria nis hetimet

(Lajm i përditësuar)
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me rastin e rrëzimit të çatisë së Komunës së re në Prishtinë, ku për pasojë mbeti e lënduar një vazjë.
Lajmin për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’. Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”, tha ajo.
Kulmi i komunës së re të Prishtinës u rrëzua nga erërat e forta, dëmet do të kompensohen
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica tha se sipas hetimeve preliminare nga Policia e Kosovës dhe inspektorët e emergjencave, kulmi i ndërtesës së Komunës së re kanë rënë si pasojë e erërave të forta.
Në një prononcim për media, Fushtica tha se në këtë ndërtesë gjatë kësaj kohe nuk ka pasur punime, derisa shtoi se pas këtij rasti, objekti është mbyllur dhe punëtorët janë liruar në shtëpi, ndërkaq institucionet po kryejnë punën e tyre në hetimin e rastit.
Ai tha se shprehin keqardhje dhe bashkë ndjejnë me vajzën, e cila mbeti e lënduar si pasojë e këtij incidenti.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, theksoi se mund të konfirmojnë se në momentin që ka ndodhur rasti nuk pasur punëtorë duke punuar në ndërtesë apo në kulm.
Ai shtoi se janë dëmtuar disa vetura, të cilat sipas tij mund të jenë të qytetarëve, derisa shton se të gjitha dëmet do të kompensohen në bazë të ligjit në fuqi, porse duhet të bëhet vlerësimi.
Gjendja e të lënduarës nga rënia e çatisë së objektit në Prishtinë është stabile
Gjendja e vajzës së lënduar sot nga kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” është stabile, por me lëndime të rënda trupore.
Zëdhënësi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Shpend Fazliu për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur se e lënduara pas 4 orëve pritet t’i kryhen ekzaminime shtesë diagnostike dhe të transferohet për trajtim të mëtejmë në Mjekimi Intensiv Qendror.
‘’Ju konfirmojmë se një paciente 23 vjeçare është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente, me gjendje stabile por me lëndime të rënda trupore. Ekipi emergjent dhe ai klinikave diagnostike ka kryer disa nga ekzaminimet e nevojshme dhe pacientja do të jetë në mbikqyrje mjekësore. Pas 4 orëve pritet t’i kryhen ekzaminime shtesë diagnostike dhe të transferohet për trajtim të mëtejmë në Mjekimi Intensiv Qendror’’, tha Fazilu.
Një e lënduar nga rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, Policia jep detaje
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka dhënë detaje për rastin që ndodhi sot në Prishtinë, ku kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”.
Borovci ka treguar se e lënduara është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ky rast ka ndodhur rreth orës 13:00.
”Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Borovci.
Një e lënduar nga rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, për RTV21 flasin nga spitali
Një vajzë ka mbetur e lënduar pas rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria.
Për portalin rtv21.tv lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Emergjencës, Naser Syla.
“Sapo është sjellë në Emergjencë, jemi duke i kryer ekzaminimet e duhura”, ka thënë Syla.
Bie kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen ”Arbëria”
Ka rënë kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”. Ende nuk dihet se a ka ndonjë të lënduar.
Kulmi dyshohet të ketë rënë për shkak të erërave të forta.
Portali rtv21.tv ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës dhe në Qendrën Klinike Emergjente për të kuptuar më shumë lidhur me rastin./21Media