Kaloni te përmbajtja kryesore

​“Pushteti dhe Intelektualët” libri që zbulon profilin e Ibrahim Rugovës

Në 18 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, është promovuar libri “Pushteti dhe Intelektualët”, ku u tha se janë përmbledhur intervistat e viteve 1969-2005, e ku zbulohet profili i Rugovës si intelektual, mendimtar i madh dhe atdhetar.

Libri është promovuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova”, fondacion ky të cilin e lavdëroi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas tij, ky libër zbulon profilin e tij prej një intelektuali dhe atdhetari të madh, se si nga Parisi sillte në Prishtinë, idetë pluraliste e demokratike.

“Fondacioni ynë, tashmë ka bërë një traditë në fushën e botimeve, duke u kujdesur që ta ruaj, ta kultivoj dhe ta përcjell tek brezat e reja, mendimin politik, letrar e kulturor të Ibrahim Rugovës, duke e vlerësuar si një trashëgimi tejet të vlefshme, bazike për të njohur Kosovën e djeshme dhe për të shërbyer prej saj për të ndërtuar Kosovën e nesërme… Rrugëtimi i vështirë, por i kujdesshëm i presidentit Rugova, nuk është vetëm një rrëfim për të djeshmen e Kosovës, për historinë tonë, por më shumë shtegdalje drejt së nesërmes, një mundësi e mirë për të sotmen, për të kuptuar si ecet me vetëdije nga e ardhmja më pozitive dhe progresive… Ky libër na zbulon profilin e tij prej një intelektuali dhe atdhetari të madh, na tregon se si nxënësi i Parisit të Francës, sillte në Prishtinë idetë pluraliste e demokratike, admironte kulturën autoktone dhe fliste me pozitivitet për të,” tha Abdixhiku.

Profesori dhe studiuesi, Muhamet Hamiti tha se libri përmbledh intervistat e viteve 1969-2005, por mbizotërojnë vitet e 70-ta dhe 80-ta, sepse ka qenë një veprimtari intensive.

“Përmbledh intervistat e viteve 1969-2005, por që natyrshëm e mbizotëron vitet 70 dhe 80, sepse ka qenë veprimtari intensive, diturore e Rugovës e asaj kohe… Libri “Pushteti dhe Intelektualët “ strukturon gjashtë kapituj për të dhënë një ide”, shtoi ai.

Ndërkaq, profesori Ndue Ukaj tha se libri paraqet intelektualin nëpër faza të ndryshme si lexues, studiues e nismëtar të ideve letrare, kulturore dhe shoqërore.

“Libri ka vlerën e vet, sepse na paraqet intelektualin nëpër faza të ndryshme si lexues, studiues e nismëtar të ideve letrare, kulturore e shoqërore. Përmes këtij libri na dëshmohet edhe një herë se Rugova ishte intelektual me formim të mirëfilltë dhe përmes tij mund të kuptojmë më mirë si u zhvillua poeti Rugova dhe u bë kritik dhe mendimtar i madh,” vijoi Ukaj.

Ish-Presidenti Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button