Moskoordinimi i Qeverisë me aleatët sjellë pasoja për Kosovën

Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian janë përplasur për çështjen e dinarit serb dhe BE-ja ka kërkuar që kjo çështje të diskutohet në Bruksel. Por, Qeveria tha se për çështjet e brendshme nuk mund të flitet në Bruksel. Analistët politik vlerësojnë se Qeveria në çdo situatë që ka të bëjë me Serbinë duhet të ketë koordinim me faktorin ndërkombëtar sepse pasojat për Kosovën mund të thellohen.

Kërkesa e BE-së që për çështjen e dianrit të diskutohet në Bruksel është kundërshtuar fuqishëm nga Qeveria dhe vetë kryeministri Kurti ka refuzuar që, siç thotë, për çështjet e brendshme të diskutojë në Bruksel. Profesori universitar, Ibrahim Gashi, vlerëson se Serbisë i shkon për shtati që të flitet në proces të dialogut për çështje siç është dinari, siç tha, për ta mbajtur dialogun në status-quo dhe larg vëmendjes për njohje.

“Kërkesa për të arritur marrëveshje për cështje teknike do të ishte në rregull nëse të dy shtetet do ta njihnin njëra tjetrën. Pastaj janë këto cështje që kërkesat të akomodoheshin e njëra tjetrës, kërkesat e komunitetit pakicë serb brenda legjislacionit të Kosovës. Por, përderisa nuk kemi njohje të ndërsjellë dhe kemi një qasje të tillë nga Serbia, kjo i konvenon Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare po bjenë në lajthitjen e Serbisë”, tha Gashi.

Profesori Gashi ka vërejtje edhe ndaj përfaqësuesve të Qeverisë për qasje jo të mirë ndaj kërkesave apo sugjerimeve të faktorit ndërkombëtar. Sipas tij, Qeveria e ka obligim t;i ruaj raportet me aleatët e Kosovës sepse vendi ka nevojë për mbështetjen e tyre, si në rrugën integruese, e po ashtu në ruajtjen e sovranitetit.

“Qeveria vepron mbi bazën e ligjeve dhe kushtetutës në zbatim të tyre, por në të njëjtën kohë duhet lëvizur për tehut të shpatës që mos prishen ose të ruhen marrëdhëniet me partnerët. Qeveria ka obligim që secilin veprim paraprakisht ta diskutoj me aleatët e ngushtë”, tha ai për RTV21.

Përfaqësuesit e Qeverisë në disa raste nuk kishin dëgjuar këshillat e faktorit ndërkombëtar siç ishte edhe vendimi i Qeverisë që në maj të vitit të kaluar kishte dërguar katër kryetarët e komunave në veri të vendit me polici në zyrat e tyre, veprim ky që kishte çuar në vendosjen e masave ndëshkuese nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Visa Xani, vlerëson se çdo konfrontim i Qeverisë me faktorin ndërkombëtar mund të ashpërsojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Shteti i Kosovës është shtet i ri, madje i krijuar me mbështetje ndërkombëtare dhe diplomatike dhe veprimet duhet të jenë të koordinuara me partnerët strategjik. Çdo mos koordinim do të ketë pasoja”, tha Xani për RTV21.

Presidentja, Vjosa Osmani, ka kërkuar që të ketë koordinimin me faktorin ndërkombëtar edhe për çështjen e dinarit serb./21Media

Show More
Back to top button