Bëhen të pavlefshme dokumentet me emrin “Maqedoni”

Dokumentet personale të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut me emrin e vjetër, “Republika e Maqedonisë”, nga 13 shkurti kanë dalë jashtë përdorimit për dalje dhe hyrje në këtë shtet.
Zëvendësimi i dokumenteve personale, pasaportave, letërnjoftimeve, patentë shoferëve dhe lejeve të qarkullimit me ato me emrin “Maqedonia e Veriut”, është obligim për banorët e këtij vendi, bazuar në atë që njihet si Marrëveshja e Prespës ndërmjet Shkupit dhe Athinës për ndryshimin e emrit të shtetit, që ishte arritur më 17 qershor 2018.
Marrëveshja kishte hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2019 dhe kishte një periudhë prej pesë vjetësh për t’i zbatuar obligimet e saj, përfshirë edhe ndërrimin e dokumenteve personale.
Nëpërmjet një letre qarkore dërguar të gjitha ministrive greke, ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis, “rikujtoi se mesnatën e 12 shkurtit 2024, skadon periudha kalimtare pesëvjeçare lidhur me dokumentet për përdorim ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut”.