Blinken në Shqipëri: Dialogu Kosovë-Serbi, shtegu i vetëm për të ecur përpara

(Lajm i përditësuar)
Blinken në Tiranë: Muajin e ardhshëm përurohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë
Në muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë.
Lajmin e dha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Blinken shtoi se “fakti që pak javë më vonë do të përurohet baza ajrore e Kuçovës, është një mënyrë e mrekullueshme për të nënvizuar dhe theksuar angazhimin që Shqipëria ka bërë ndaj NATO-s dhe NATO ka ndaj Shqipërisë”.
AI tha se “ky është një shembull tejet i fortë për partneritetin e mbrojtjes që ne gëzojmë me njëri-tjetrin”.
Sa i përket bazës detare, Blinken theksoi se “ne e kemi diskutuar dhe do të vazhdojmë ta diskutojmë nëpërmjet NATO-s dhe proceseve që NATO ka, sa i përket aseteve të tjera që janë të rëndësishme për Aleancën”. “Përgjatë 15 viteve të saj në NATO, Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat e Shqipërisë ndihmojnë në ruajtjen e paqes në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO-s. Muajin e ardhshëm, Shqipëria do të përurojë bazën e ajrore të NATO-s në Kuçovë”, tha Blinken.
“Të 31 aleatët tanë, që së shpejti do të bëhen 32, sjellin përvoja të ndryshme, aftësi të ndryshme, gjeografi të ndryshme, por secili prej nesh ka të njëjtin angazhim të fortë, i cili është i hekurt, që të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të sakrifikojnë, madje në vitin e fundit, çdo aleat ka rritur përqindjen në ndihmë të mbrojtjes, si 2% i GDP. Gjithashtu dhe për këtë arsye, aleanca jonë është më e fortë”, tha ai.
Blinken në Shqipëri: Dialogu Kosovë-Serbi, shtegu i vetëm për të ecur përpara
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, midis Kosovës dhe Serbisë, është rruga e duhur që të dyja shtetet të ecin përpara
“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është i duhuri dhe shtegu i vetëm për të ecur përpara. Ne jemi të vendosur për të mbështetur të gjitha vendet e rajonit për integrime dhe mbështesim dialogun”, deklaroi Blinkën në konferencën e përbashkët me Ramën në Tiranë.
Rama: Pa SHBA-në nuk do kishte shtet të pavarur të Kosovës
Kryeministri shqiptar, Edi Rama në konferencën me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, tha se shqiptarët nuk duhet të harrojnë se pa SHBA-të nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës.
“Dhe është mirë që asnjëherë shqiptarët kudo që janë, duke nisur nga ata në Kosovë, që të mos harrojnë se pa SHBA-në s’do të kishte shtet të pavarur të Kosovës”, tha Rama.
“Kemi folur për rajonin, kemi ndarë të njëjtat pikëpamje dhe shqetësime. Siç dihet Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë për të gjitha vendet e rajonit. Jemi investuar që rajoni të shkojë përpara. Është në interesin e popullit tonë që ta shikojë bashkimin me Evropën si pjesë të pandarë të bashkimit të këtij rajoni rreth vlerash dhe parimesh që mishërojnë qenien tonë në komunitetin e madh të shteteve demokratike.”, deklaroi Rama.
Blinken-Ramës: Jeni një udhëheqës i shquar dhe kryeministër shumë i mirë
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në fjalën e tij me të rinjtë shqiptarë në ambientet e Piramidës, shprehu konsiderata për Kryeministrin Edi Rama.
“Ju falenderoj për një mirëpritje të mrekullueshme në vendi e shqiponjave, e ndjej ambientin e ngrohtë jashtë por ndjej dhe ngrohtësi në këtë dhomë dhe dhomë tjetër që kam qenë në Tiranë. Nuk mund t’ju shpjegpoj se sa mirënjohës jam. Është një moment i rëndësishëm dhe vlerësim për punën tuaj për të forcuar marrëdhënien midis vendeve tona. Jam shumë i lumtur që jam sot me ju në një qytet që ju si ish-kryetar bashkie i keni dhënë ngjyra të bukura, jam mirënjohës për partneritetin e jashtëzakonshëm që ne të dy kemi. Kryeministri është jo vetëm udhëheqës i shquar por edhe Kryeministër shumë i mirë. Këto 3-4 vitet e fundit që kemi punuar, z.Kryeministër ka qenë pranë nesh dhe i ka përballuar këto vështirësi së bashku me ne”.
Blinken shprehu mirënjohjen për pritjen që Shqipëria u bëri refugjatëve afganë.
“Në ambasadën tonë u takova me disa familje afgane që kanë ardhur nga Afganistani këtu dhe presin që të shkojnë në SHBA. Udhëtimi i tyre nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e Shqipërisë. Është edhe mënyra se si po i mirëprisni ata. Dua t’ju them që ishte shumë emocionuese për mua që mes refugjatëve afganë ishin dy prindër që kanë 5 fëmijë edhe secili ishte numri 1 në shkollë, por kur talebanët morën pushtetin, vajza nuk mund të shkonin në shkollë. U munduan që të gjenin mënyra për të gjetur mësim nëpërmjet internetit dhe vajzat e tyre binjake në moshën 14 vjeçe gjatë kësaj kohe kanë mësuar anglisht në mënyrë të rrjedhshme dhe kanë ide shumë të qartë për të ardhmen e tyre”.
Si duket sekretari amerikan i shtetit la të hapur mundësinë e një vizite të dytë në Shqipëri.
“Unë e pashë sot në rrugët e Tiranës, mund të shikoni energjinë për të ardhmen, një e ardhme e integruar me Perëndimin, Europën, botën. Vitin e kaluar një numër rekord turistësh vizituan Shqipërinë, ekipi juaj u futbollit u kualifikua për herë të 2 në Kampionatin Europian. Në 2016 ishte hera e fundit që një Sekretar Shteti vizitoi Shqipërinë, ndoshta unë do të vij gjatë finaleve të Kupës Europiane dhe ndoshta mund t’ju ndihmoj”.
Nga Dua Lipa te Mira Murati, Blinken liston shqiptarët e suksesshëm
Vizita historike e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken ditën e sotme në Shqipëri, është pritur me interes të madh jo vetëm nga politika dhe qytetarët por dhe nga mbarë opinion kombëtar dhe ndërkombëtar.
Pas takimit me Ministrin Për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani dhe atë me Presidentin e Republikës Bajram Begaj, Sekretari Blinken ëhstë ndalur te Piramida, ku ka zhvilluar një takim me të rinjtë, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij Sekretari Blinken përmendi disa nga shqiptarët më të suksesshëm jo vetëm në SHBA por edhe në botë siç janë këngëtarja Dua Lipa apo shefja e OPEN AI, Mira Murati.
“Po shikoni lidhjet e fuqishme midis vendeve tona në mënyra të tjera. Amerikanë të rinj po kërcejnë gjithë natën me Dua Lipën. Shefja e teknologjisë në Open Ai, një nga njerëzit që po lidh botën për inteligjencën artificiale, Mira Murati. Në New York është një restorant shqiptar, Kapërcimi i Shqipërisë në botën e re nuk ishte aq e thjeshtë. Sekreti ishte tek të rinjtë si ju që bënë ndryshimin”, tha ai.
Ndërsa me batutë theksoi se vizita e fundit e një Sekretari Amerikan në Shqipëri ishte në vitin 2016-të, kohë kur kombëtarja kuqezi u kualifikua për herë të parë në një kampionat europian.
Duke shtuar se kjo nuk ka ndonjë lidhje, por shpreson që vizita e ardhshme e një Sekretari Amerina ta shohë Shqipërinë në finalen e kampionatit Europian.
“Ekipi juaj u kualifikua në Europian për herë të dytë dhe herën e fundit në 2016 ishte hera e fundit ishte një sekretar shteti që vizitoi Shqipërinë. Nuk dua të them se ka ndonjë lidhje, por ndoshta do të vij në finalen e kupës europiane”, tha ai.
Më tej shtoi: Ju falënderoj për një mirëpritje të mrekullueshme në vendin e shqiponjave. E ndjej ngrohtësinë këtu dhe në çdo vend tjetër në Tiranë.
Nuk mund të shpjegoj sa mirënjohës jam. Që të jem sot me ju për të festuar arritje e këtyre programeve është i rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet mes vendeve. Falënderoj Wisnerin dhe sidomos kryeministrin Rama, jam i lumtur që jam sot me ju në një qytet ku ju si ish-kryetar bashkie e keni energjizuar.
Jam mirënjohëses dhe për partneritetin që kemi. Këto tre vitet e fundit që kemi punuar bashkë, çdo vështirësi që kemi pasur, kryeministri ka qenë pranë nesh. Kanë thënë njerëz se kjo ndërtesë tregon rrugën e Shqipërisë që nga fundi i luftë së ftohtë.
Blinken: Jam mirënjohës për rolin e vendit tuaj
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shprehur falënderime për mikpritjen që iu bë në Shqipëri.
”Ne duam të mësojmë prej jush, ashtu siç shpresojmë të mësoni dhe ju nga ne. Në 30 vitet e fundit kam udhëtuar në mbarë botën. Diku në çdo vend ka një person që ka ide origjinale për të zgjidhur një problem. Por nëse kjo eksperiencë nuk mund të ndahet, bota nuk mund të përfitojë nga kjo eksperiencë. Pra sa më shumë të ndajmë këto ide aq më i ngushtë do të jetë bashkëpunimi. Marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri për gati 50 vjet nuk ekzistonin, por në shekullin e ri vendet tona do ta bëjnë botën më të sigurt dhe më stabël. Ju do jeni ata që do ta bëni këtë. Unë jam shumë mirënjohës për rolin tuaj të gjithë juve këtu dhe shpresoj shumë në rolin tuaj për ndërtimin e kësaj të ardhmeje”, tha Blinken.
Blinken takim me të rinjtë shqiptarë që kanë përfituar nga programet edukative amerikane
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken zhvilloi një takim me stafin e ambasadës amerikane si dhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Gjatë qëndrimit në Tiranë Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka uruar mirëseardhje Blinken i cili ndodhet në Shqipëri për herë të parë.
Nga Piramida, kreu i qeverisë tha se SHBA është mëse e mirëpritur në vendin Shqipëri, edhe pse dikur diktatori Enver Hoxha “mbolli” urrejtje në zemrat e shqiptarëve.
Avioni i Blinken zbret në Rinas
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken viziton sot për herë të parë vendin tonë, ndërkohë që avioni zbriti sipas orarit të caktuar në tokën shqiptare, pas 10 orësh udhëtim.
Në Rinas, Blinken u prit nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtm Igli Hasani. në ceremoninë e pritjes është edhe ambasadori i Shqipërisë në SHBA Ervin Bushati dhe dhe i dërguari me punë David Winser.
Gjatë vizitës që pritet të zgjasë disa orë, pjesë e turit që nis në Shqipëri dhe përfundon në Berlin, zyrtari i lartë amerikan do të ketë një takim me presidentin e vendin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, me të cilin pritet të mbajnë edh një konferencë të përbashkët për shtyp.
Blinken sot në Tiranë, agjenda e plotë
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken do të qëndrojë sot më shumë se tetë orë në Tiranë në një vizitë ku pritet të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Me rastin e kësaj vizite, Blinken dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Gjatë qëndrimit në Tiranë ku pritet të mbërrijë rreth orës 11:00 Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.a
Agjenda e plotë:
Sekretari Blinken është në udhëtim në Shqipëri dhe Gjermani nga 14-17 shkurt 2024.
Ora 13:35 Blinken zhvillon një takim dhe përshëndet me punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe anëtarët e familjes në Tiranë, Shqipëri.
Ora 14:15 Blinken takohet me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale në Tiranë, Shqipëri.
Ora 15:05 Sekretari Blinken takohet me Presidentin shqiptar Bajram Begaj në Tiranë, Shqipëri.
15:35 Sekretari mban fjalime në një aktivitet të të rinjve dhe të diplomuarve me temë “ Festojmë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri” në Tiranë, Shqipëri.
Ora 16:15 Blinken takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë, Shqipëri.
Ora 17:55 Sekretari merr pjesë në një ceremoni nënshkrimi për një Memorandum Mirëkuptimi mbi Shkëmbimin Akademik Fulbright dhe një Memorandum Mirëkuptimi mbi Kuadrin për Kundër Manipulimit Informativ të Shtetit të Huaj në Tiranë, Shqipëri.
Ora 18:10 Blinken dhe kryeministri shqiptar Edi Rama mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi në Tiranë, Shqipëri.
Para nisjes së kësaj vizite, Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim tha se vizita e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Shqipëri do të përqendrohet tek “ e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”.
“Vizita vjen pasi ne kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023. Shqipëria është tani në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”, tha Kim.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të zhvillojë një vizitë në Tiranë. Blinken pritet të mbërrijë në Tiranë në orën 11:00 dhe do të qëndrojë deri në orën 20:00.
Mësohet se zyrtari i lartë amerikan do të nënskruajë edhe disa marrëveshje në Tiranë.
Policia e Shtetit në Shqipëri ka publikuar planin e masave të marra për garantimin e sigurisë gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë.
Sipas njoftimit të Policisë, nuk do të lejohet parkimi në disa akse rrugore.
“Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Ismail Qemali” (para Kryesisë së Kuvendit), “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, Rruga e Elbasanit, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga “Ukraina e Lirë” (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim”, bën të ditur Policia./21Media