Gjermania, Franca dhe Italia ia refuzojnë Kurtit idenë e propozimit të një drafti për Asociacionin

Tri shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, konkretisht Gjermania, Franca dhe Italia, ia kanë refuzuar propozimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të shkuar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Këtë e kanë bërë përmes një letre, të cilën e ka siguruar “Albanian Post”, pasi që qeveria e drejtuar nga Kurti, përmes Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilën kanë propozuar shkrimin e një draft-statuti për Asociacionin dhe dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
“Propozimi juaj për përgatitjen e një drafti të ri në konsultim me kryetarët apo zëvendësit aktualë të komunave nuk është as i përshtatshëm dhe as i zbatueshëm për shkak të rrethanave aktuale në këto komuna. Kryeministër, le të jemi të qartë: Ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në Asociacion aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare. Përparimi tani përgjatë linjave të sugjeruara nga QUINT-i do të demonstronte përkushtimin tuaj ndaj të drejtave të pakicave, duke forcuar kështu pozitën e Kosovës dhe duke ri-energjizuar Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet qartësisht në letrën që e ka siguruar AP.
Tri shtetet më të fuqishme të Unionit ia kanë bërë të qartë Kurtit se “kjo është mënyra e vetme për të siguruar suksesin e aplikimit tuaj”.