Lajçak i gatshëm për takim të ri për dinarin në Bruksel

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se është i gatshëm të organizojë një takim tjetër mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit, me kusht që ata të tregojnë gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje.
Lajçak në një postim në Facebook ka thënë se gjatë javës ka zhvilluar takim me Besnik Bislimin si kryenegociator i Kosovës dhe Petar Petkoviqin e Serbisë, porse nuk është arritur asnjë marrëveshje.
“Gjatë javës së kaluar kam pritur edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për atë që e shoh si raundin final të diskutimeve për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Fatkeqësisht, nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe është e paqartë se si do të ndikojë kjo në jetën e përditshme të komuniteteve të prekura në Kosovë. Unë mbetem i gatshëm të pres një takim tjetër për këtë temë, me kusht që palët të tregojnë gatishmëri të vërtetë për të arritur një marrëveshje”, ka shkruar ndër tjera Lajçak.