Mësohen shkaqet e rrëzimit të avionit në Kroaci

(Lajm i përditësuar)
Mësohen shkaqet e rrëzimit të avionit në Kroaci
Shërbimi Kroat i Shpëtimit Malor HGSS ka dalë me detaje dhe foto nga rrëzimi i avionit në pyllin në jug të Kerestinacit në Kroaci, ku një person ka gjetur vdekjen dhe katër të tjerë kanë marrë lëndime.
“Sot, më 25 maj 2024, një avion Cessna 182 është rrëzuar në zonën e Komunës së Stupnikut. Raporti i parë në HGSS është marrë në orën 16:13. Në bazë të raportit menjëherë në terren janë dërguar ekipet HGSS Samobor: 12 persona me 3 automjete, HGSS Zagreb: 10 persona me 2 automjete, HGSS Karlovac: 3 persona me një automjet”, njofton HGSS.
Ekipi i stacionit HGSS Samobor mbërriti në terren në orën 17:18. Policia, zjarrfikësit e DVD Stupnik dhe punonjësit e urgjencës ishin të pranishëm në lokacion. Avioni u gjet në vendndodhjen Stupniçki Obrezh, rruga Micani në pyll. HGSS së bashku me punonjësit e urgjencës kanë marrë pjesë në dhënien e ndihmës së parë dhe përgatitjen e të lënduarve për transport.
Nga forcat e përbashkëta të të gjitha shërbimeve, viktimat janë transportuar në mjetin e shërbimit të urgjencës mjekësore (HMS). Në intervenim kanë marrë pjesë edhe helikopteri HMS dhe helikopteri i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Dnevnik Nova TV raporton se piloti i avionit kishte kontaktuar ekipin e kërkimit menjëherë pas rrëzimit duke thënë se motori i Cessna 182 kishte dështuar gjatë ngritjes.
Një i vdekur e katër të plagosur nga rrëzimi i avionit në Kroaci
Një person ka humbur jetën dhe katër pasagjerë janë lënduar si pasojë e rrëzimit të një avioni sportiv në jug të Kerestinac, njoftoi sot Drejtoria e Mbrojtjes Civile e Kroacisë.
Në fluturim janë regjistruar pesë pasagjerë dhe aktualisht po punohet për organizimin e transportit të personave të lënduar, njofton drejtoria në X.
Anëtarët e Njësisë së Ndërhyrjes për Mbrojtjen Civile Shtetërore të Zagrebit, policia, ndihma mjekësore emergjente, HGSS Samobor dhe Zagreb, si dhe zjarrfikës u dërguan në terren.
Një nga të plagosurit është Veselka Klobuçariq-Pirc, presidente e Klubit të Parashutistëve të Kroacisë dhe nënkampione e Evropës në hedhje me objektiv, transmetojnë mediat kroate.
“Ata u ngritën dhe duhej të hidheshin nga 1.500 metra, sepse po stërviteshin për kampionatin e ardhshëm kombëtar”, tha bashkëshorti i saj.
Gjithçka ka ndodhur në zonën e aeroportit në Jezhdovac, i njohur si aeroporti Luçko. Bëhet fjalë për avion me parashutë Cessna 182.
Personat e lënduar janë trajtuar dhe nuk janë në rrezik për jetën, tha kryeministri kroat Andrej Plenkoviq.
“Të gjithë personat janë shtetas kroatë,” tha Plenkoviq. Ai hodhi poshtë informacionet e mëparshme se ata ishin hungarezë.
Në lidhje me rastin kanë folur edhe dëshmitarët që u kanë në ndihmë të aksidentuarve.
“Në aeroplan ishin pesë, katër mbijetuan. Është pyll, vështirë se mund të shihet nga ajri, vetëm një pemë është thyer. Sapo ndihmuam, njëjtë si kolegët tanë shkuam të ndihmojmë në kërkim”, tha dëshmitari Alen Cepiq.
“Ishte një goditje e fortë, të gjithë vrapuam në pyll në kërkim. Dukej e tmerrshme, gjak dhe njerëz të shëmtuar për t’u parë. Më vjen mirë që munda të ndihmoja. Departamenti i Emergjencave ndihmoi njerëzit që mundën, hetimi është në pritje”, tha dëshmitari tjetër Nikola Horvatinçiq.