Kërkesa e opozitës për hetim ndaj Kusarit, Haxhiu: Duan ta largojnë vëmendjen nga dështimi për ta rrëzuar qeverinë

Kërkesa e partive opozitare që të iniciohet hetim ndaj shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila lidhur me përgjimet e bisedës me terroristin Milan Radoiçiq, nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po konsiderohet përpjekje për të larguar vëmendjen nga dështimi për të rrëzuar qeverinë.
Ministrja Haxhiu kritikoi opozitën duke thënë se këta të fundit nuk kanë kërkuar asnjëherë dorëzimin e Radoiçiq dhe terroristëve të tjerë që kanë kryer sulme.
Derisa u përgjigj në pyetjet e gazetarëve, Haxhiu potencoi se janë të gatshëm për zgjedhje, derisa shtoi se opozita duhet të jetë e bashkuar dhe jo të dalin me kërkesa të ndryshme për zgjedhje.
“Unë nuk e di që kemi dëgjuar ndonjëherë që opozita kërkon që Serbia ta dorëzojë Milan Radoiçiqin…Një opozitë që një terrorist që ka bërë sulm terrorist në Republikën e Kosovës, asnjëherë nuk po kërkojnë që Serbia ta dorëzojë atë. Asnjëherë nuk kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë terroristët jo vetëm Radoiçiq, por edhe të tjerët që kanë kryer sulme terroriste, tash paskan kërkuar hetim ndaj Mimoza Kusarit. Unë mendoj që kjo është një përpjekje për ta larguar vëmendjen nga një dështim spektakolar që e patën për rrëzim të qeverisë apo për shkuarje në zgjedhje. Opozita duhet të jetë e bashkuar, por ju e keni parë, njëra kërkonte rrëzim të qeverisë, tjetra dorëheqje të qeverisë, tjetra shpërndarje të Kuvendit. Ne kemi thënë që të gatshëm për zgjedhje jemi kurdo që ata dëshirojnë”, tha Haxhiu.
Ndër të tjera, ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu u pyet edhe rreth çështje së publikimit të emrave të atyre që kryejnë dhunë në familje. Për këtë, ajo tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës është në planifikim të përgatitjeve të akteve nënligjore se cilat të dhëna duhet të publikohen.
Ajo u zotua se emrat e dhunuesve do të publikohen.
“Ne jemi zotuar që emrat e dhunuesve do të publikohen. Ne këtë zotim e kemi përmbushur siç e dini, në ligjin për evidenca penale tashmë është adresuar kjo çështje. Unë kam kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të adresojë përgjegjësinë që ka, që rrjedh nga ky ligj. Mirëpo, kjo ende nuk ka ndodhur. Sigurisht që sipas njoftimeve këta në përgatitje dhe në planifikim të përgatitjeve të akteve nënligjore se cilat të dhëna duhet të publikohen, çfarë përmbajnë ose çka janë të dhënat që nuk mund të publikohen. Prandaj, sipas njoftimeve tashëm janë në përgatitje të kësaj”, potencoi Haxhiu.
Përveç këtyre, Haxhiu ka folur edhe për hartimin e projektligjit për femicidin.
Ajo tha se dje është mbajtur grupi i parë punues në kuadër të Ministrisë së Drejtësie që ka për qëllim hartimin e projektligjit për femicidin, duke shtuar se ende nuk është krijuar ndonjë draft.
Ajo potencoi se Kosova është vendi i parë në rajon që po adreson femicidin përmes ligjit të veçantë.
“Dje është mbajtur grupi i parë punues në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë që ka për qëllim hartimin e projektligjit për femicidin…Kosova është vendi i parë në rajon që po adreson femicidin përmes ligjit të veçantë. Ne e kuptojmë që ne kemi nene të ndryshme në kodin penal të Republikës së Kosovës, megjithatë, edhe në një analizë që është bërë nga vetë Gjykata Kushtetuese është vlerësuar se në asnjë prej rasteve që kanë pasur për studim nuk është përmendur si rrethanë rënduese si femicidi. Pra, vepra që është kryer nuk është referuar si femicid…Ne ende nuk e kemi një draft të parë, sepse dje ka qenë takimi i parë i grupit punës”, tha Haxhiu.