Liderët botërorë shpresojnë të arrijnë pajtim për ta dënuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia

Dhjetëra liderë botërorë të mbledhur në Zvicër shpresojnë se do të arrijnë pajtim për ta dënuar pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, në ditën e dytë dhe të fundit të samitit për paqe më 16 qershor.
Mungesa e Rusisë dhe e Kinës në Samitin për Paqe Globale, që u iniciua nga Ukraina, i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.
Në prag të samitit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalosi kushte të ashpra për një armëpushim, përfshirë duke kërkuar që Ukraina t’ia dorëzojë katër rajone jo vetëm në pjesët e okupuara nga forcat pushtuese ruse, por edhe rajonet e kontrolluara nga Ukraina.
Këto kërkesa u hodhën poshtë menjëherë nga Kievi dhe nga mbështetësit e tij perëndimorë.
Duke folur në samitin që po mbahet në resortin Burgenstok më 15 qershor, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se “ne kemi arritur sukses në rikthimin e idesë se përpjekjet e përbashkëta mund ta ndalin luftën dhe të sjellin paqen”.
Në mesin e pjesëmarrësve në këtë samit është edhe nënpresidentja amerikane Kamala Harris, kancelari gjerman Olaf Scholz, dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në këtë samit, gjithashtu.
Me këtë samit, Zelensky po kërkon që sa më shumë vende të botës ta mbështesin kauzën e Ukrainës, posaçërisht vendet nga i ashtuquajturi Jugu Global, si dhe ta mbajë vëmendjen e botës në pushtimin brutal të Ukrainës nga Moska.
Samiti i 15-16 qershorit është kulmi i përpjekjeve të Zelenskyt në 19 muajt e fundit për t’i angazhuar liderët globalë që të ndihmojnë në dhënien fund të luftës më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Zvicra u pajtua të jetë nikoqire e samtit me shpresën se do ta hapte rrugën për një proces për paqe në të ardhmen, në të cilin do të përfshihej edhe Rusia.
Zelensky nuk donte që Rusia të ftohej në samit në këtë kohë.