“Çështje ditësh”, Havolli flet për marrëveshjen LDK – Vjosa Osmani

(Lajm i përditësuar)
“Çështje ditësh”, Havolli flet për marrëveshjen LDK – Vjosa Osmani
Sokol Havolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se çështja e marrëveshjes ndërmjet LDK-së dhe presidentes Vjosa Osmani pritet të sqarohet shumë shpejt.
“Marrëveshja mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit është çështje që do të definohet brenda ditëve në vijim, nuk e kam këtë informacion se a janë takuar Abdixhiku me Osmanin”, tha Havolli.
Ai nuk konfirmoi nëse ka pasur takim mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe presidentes Osmani, duke lënë të hapur mundësinë që zhvillimet të konkretizohen në ditët e ardhshme.
Havolli: Kurti shkeli ”marrëveshjen” që e pati me Abdixhikun
Sokol Havolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës në ”Click” të RTV21 ka kritikuar kryetarin e VV-së Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke e akuzuar për mosrespektim të marrëveshjeve të mëhershme.
“Gjatë gjithë kohës Abdixhiku e ka bërë të qartë se lidhet me parime, cilat janë parimet që zbatohen në zgjedhjen e presidentit, në fillim janë pajtuar me Kurtin që mos të ketë imponime në kandidatura. Kurti e ka bërë të kundërtën ani pse vetë është pajtuar që të mos imponojë kandidatura, ai e bëri pikërisht atë dhe e prezantoi Konjufcën si kandidat”, tha Havolli.
Sipas tij, qëndrimet e Lumir Abdixhiku kanë qenë të bazuara në parime të qarta, ndërsa veprimet e Kurtit kanë qenë në kundërshtim me marrëveshjet e arritura.
Havolli i LDK-së me lavdata për Osmanin: Ka mbajtur balancën në aspektin e funksionit të zyrës së presidentit
Sokol Havolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës në ”Click” të RTV21 ka vlerësuar punën e Vjosa Osmanit sa ishte president, duke theksuar rolin e saj në ruajtjen e balancës institucionale.
“Vjosa Osmani ka mbajtur një balancë në aspektin e funksionit të zyrës së presidentit, kjo është një fakt që nuk mund të mohohet,” tha Havolli.
Ai shtoi se LDK-ja gjatë mandatit të kaluar ka qenë e drejtpërdrejtë në raportet me institucionet: “LDK për gjatë mandatit të kaluar ka shprehur vërejtjet në raport edhe me qeverinë edhe me presidenten.”
Havolli vuri theks edhe te marrëdhëniet ndërkombëtare, duke veçuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Mos të harrojmë që relacionet me SHBA kanë qenë në një nivel të lartë gjatë mandatit të Vjosa Osmanit dhe për LDK-në raportet me SHBA janë shumë të rëndësishme.”
Havolli: 15 nënshkrimet e LDK-së gjithsesi që ishin për Vjosa Osmanin
Sokol Havolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në një intervistë në emisionin “Click” në RTV21, ka deklaruar se Albin Kurti nuk ka bërë lëvizje serioze sa i përket çështjes së presidentit.
Ai theksoi se LDK-ja ka qenë e qartë në qëndrimet e saj, duke përmendur edhe mbështetjen për Vjosa Osmani.
Sipas Havollit, “15 nënshkrimet e LDK-së ishin gjithsesi për Vjosa Osmanin”, duke shtuar se ky qëndrim është bërë i qartë edhe nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku./RTV21/21Media