Lajçak sot në Kosovë, pritet të takohet me Bislimin

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovë dhe Serbisë, Miroslav Lajçak do të jetë për një vizitë dy ditore në Kosovë, 18 dhe 19 qershor. Këtë e ka konfirmuar për RTV21 Klisman Kadiu këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se Bislimi pret në takim Lajçakun këtë të martë nga ora 18:00.
Lajçak së fundmi është takuar me kryeministrin e ri serb, Millosh Vuçeviq, me të cilin tha se kanë diskutuar për çështjen e dialogut.
Siç ka njoftuar Lajçaku, ata janë takuar në Athinë.
“E kam përditësuar për gjendjen në dialog dhe kemi folur për marrëdhëniet BE-Serbi”, ka shkruar Lajçaku në platformën “X”.
Një ditë më parë, Lajçaku u shpreh se momentumi i ri për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian “nuk duhet humbur”./21Media