Ministria e Brendshme e Serbisë ndalon tubimet në zonën e “Mirëdita, dobar dan!”

(Lajm i përditësuar)
Ministria e Brendshme e Serbisë ndalon tubimet në zonën e “Mirëdita, dobar dan!”
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar se ka dhënë urdhër që të ndalohen tubimet e njerëzve në zonën ku është paraparë të mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan!”.
“Ministria e Brendshme ka lëshuar urdhër për ndalimin e tubimeve në ‘Mirëdita, dobar dan!’, për shkak të rrezikut të sigurisë së njerëzve dhe rrezikut të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më të mëdha. Gjithashtu, nuk do të lejohen tubime të tjera në atë zonë. Për këtë urdhër janë njoftuar organizatorët e takimit”, ka thënë Daçiq, raporton “Telegraf.rs”
Djathtistët në Serbi bllokojnë hyrjen në festivalin “Mirëdita, dobar dan”
Duke valëvitur flamuj serb, një grup i madh i djathtistëve janë mbledhur në afërsi të hyrjes në zonën ku mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan”, i cili nis sot në Beograd, duke parandaluar hyrjen në këtë hapësirë.
Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, ky grup protestuesish janë dëgjuar duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.
Në sheshin Dorqol, ku mbahet festivali dhe i cili është i mbyllur për trafik, janë parë një numër i vogël i policëve.
Gazetarja e Radios Evropa e Lirë nuk është lejuar të hyjë në hapësirën ku festivali pritet të nisë sonte nga protestuesit që po qëndrojnë në hyrje të kësaj zone.
REL-i ka dërguar pyetje në Ministrinë serbe për Punë të Brendshme lidhur me planet për situatën e sigurisë të mbajtjes së kësaj ngjarjeje, por nga ky institucion nuk janë përgjigjur.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, që janë organizatorë të festivalit, pritet që të dalin me një njoftim shumë shpejt./rel
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?