Mësimdhënësja nga Ferizaj i gjen mbi 2000 euro dhe i dorëzon në polici

Sot, rreth orës 16:55, qytetarja me inicialet A. Mehmeti, 43-vjeçare, mësimdhënëse nga Ferizaj, ka treguar një shembull të lartë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare. Ajo ka gjetur një portofol me një shumë të caktuar parash në afërsi të rrugës “Agim Matoshi” në Ferizaj.
Menjëherë pas gjetjes, ajo i ka dorëzuar portofolin me paratë në stacionin policor në Ferizaj.
Sipas njoftimit të policisë, meqenëse pronari i portofolit ende nuk ishte identifikuar, hetuesit e stacionit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes për verifikimin e kamerave të sigurisë në atë zonë.
“Më pas, në stacionin policor është paraqitur qytetarja me inicialet L.K. (22-vjeçare) nga Ferizaj, me banim të përkohshëm në Gjermani, e cila ka raportuar humbjen e portofolit. Pas verifikimeve të kryera nga ana e policisë, pronares së ligjshme i janë kthyer portofoli dhe paratë; 2030.85 euro”, thuhet në njoftim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon A. Mehmeti për gjestin e saj human dhe shembullor. Sipas policisë, ky veprim dëshmon një nivel të lartë të përgjegjësisë qytetare dhe forcon besimin e ndërsjellë mes policisë dhe komunitetit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?