Temat që u diskutuan gjatë takimit të Gërvallës me Kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë

Zgjerimi i bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, mbështetja e Republikës së Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, siguria në rajon dhe bashkëpunimi në iniciativa rajonale që për qëllim kanë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ishin temat në fokus të takimit mes Zëvendëskryeministres, Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Kryetares së Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Kosovë.
MPJD përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi Gërvalla e falëndëroi Kryetaren e Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq për mbështetjen që deputetët slloven i kanë dhënë Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përkatësisht mbështetjen në arritjen e 82% të votës pro anëtarësimit nga Asambleja Parlamentare e KiE.
Gërvalla në takim me kryeparlamentaren sllovene paraqiti të arriturat e Republikës së Kosovës në shumë fusha dhe mundësitë e mëdha të investimeve në Kosovë, duke theksuar potencialin e madh të të rinjve.
Më tej Ministrja dhe Kryetarja Zupançiq riafirmuan përkushtimin e tyre për të thelluar më tej bashkëpunimin bilateral dhe për të eksploruar mundësi të reja që do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët e të dy vendeve./21Media