Alarmi për bombë në Aeroport, deklarohen nga policia

Policia e Kosovës ka informuar se nuk është gjetur asgjë e dyshimtë në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”, pas alarmit për bombë.
Zëdhënësi i policisë, Agron Borovci tha për portalin rtv21.tv se pas kontrolleve nga njësitet e specializuara, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Sot rreth orës 10:30, Policia e Kosovës ka marrë një informatë ndërlidhur me kërcënimet për shpërthim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Njësitet policore u janë përgjigjur menjëherë këtyre kërcënimeve duke dalë në vendngjarje, dhe duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë. Nga njësitë e specializuara janë kryer kontrolle të plota të zonës dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimt. Policia e Kosovës është e përkushtuar për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën. Ne vlerësojmë bashkëpunimin dhe durimin e qytetarëve si dhe personelit të aeroportit gjatë kësaj kohe”, tha Borovci.
Alarme për bombë ka pasur edhe në të kaluarën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, përderisa të njëjtat kanë rezultuar të rreme./21Media