“Një shenjë ndoshta të pakuptueshme Do t’ju bëj të gjithëve e do ik”

Të martën ( 01 korrik) u nda nga jeta shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare duke lënë pas vetes një krijimtari letrare që kapërceu kufijtë shqiptar, vepra e tij u përkthye në  45 gjuhë, shkruan portali rtv21.tv.

Kadare bëri që Shqiptaria  e kultura e saj  të njihet në botë, derisa edhe vetes përmes penës së tij i dha vendin përkrah shkrimtarëve më të shquar botëror.

U krahasua me Orwellin dhe Kafkën, e në vitin 2005 doli mbi gjiganët letrarë si Gabriel García Márquez dhe Philip Roth duke fituar çmimin inaugurues Man Booker International Prize (tani Çmimi Ndërkombëtar Booker). Emri i Kadares ishte i nominuar disa herë për çmimin Nobel.

Në poezinë e tij “Koha e pamjaftueshme” Kadare në fund thotë se:

“Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.”  , megjithatë shenja, gjurma që la ai mbeti aq e dukshme duke u vulosur si një prej emrave më eminent jo vetëm të letërsisë shqipe, por edhe e asaj botërore.

Në vijim poezia e Kadaresë:

KOHA E PAMJAFTUESHME

S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja ti nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.

Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.

Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem tek varri humbak.

Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këte peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.

I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.

Back to top button