Haxholli: Mora vërejtje pa arsyetim përmbajtjesor nga Ministria e Jashtme

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka thënë se ka marrë vërejtje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila drejohet nga Donika Gërvalla.

Haxholli përmes një postimi në Facebook t ka thënë se kjo është hera e parë që merr vërejtje në përvojën profesionale, duke shtuar se ka qenë i zëshëm “vetëm kundër Serbisë”.

“Për reagimet dhe deklarimet e mia të vazhdueshme në mbrojtje të interesit publik, qytetarë dhe para së gjithash në mbrojtje të interesit shtetëror, unë sapo mora një Vërejtje me shkrim nga MPJD. Njëherësh për dallim prej pafund rekomadimeve, referencave, e vlerësimeve, në MPJD dhe jashtë saj, kjo është Vërejtja e parë në përvojen time profesionale, institucionale. Uroj që kjo të jetë edhe e fundit. Më duhet ta them që nuk kam pritur që duke qenë i zëshëm kundër veprimeve të Serbisë, do të vlerësohem apo avancohem në ndonjë mënyrë, dhe as që ka qenë qëllim i imi diçka e tillë, por më duhet ta them dhe ri-përserisë, që edhe sikur masa korigjuese ndaj meje të ishte vet suspendimi dhe largimi nga MPJD, në asnjë rast, nuk ushqej asnjë dilemë, që në të gjitha komunikimet e mia pararake, unë të veproja njësoj, përsëri”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje Haxholli ka kërkuar sqarim nga MPJD-ja se ku dhe kur deklaratat e tij kanë shkuar ndesh me mandatin e zyrës që udhëheq.

Back to top button