Bajrami – Kurtit: Çka mendon që Çeku i ndau qindra mijëra euro OJQ-së që e themeloi vetë

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që ta tregojë qëndrimin e tij për shpërndarjen e fondeve në dy raste nga ana e Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet prej Hajrulla Çekut.
Bajrami këtë reagim e bëri pas një postimi të Kurtit në Facebook ku ai shkroi për punët e Ministrisë së Kulturës.
Në një postim në Facebook, Bajrami me theks të veçantë e ka pyetur Kurtin se çfarë mendon për ndarjen e qindra mijëra eurove për organizatën joqeveritare “EC Ma Ndryshe” që ministri e ka themeluar vetë dhe për atë të motrës së deputetit të LVV-së, Artan Abrashi, “Autostrada Biennale”.
”Kryeminister, se buxheti është rritë për kulturë e dëshmon edhe fakti që ministri juaj para disa ditëve dha qindra e mijëra euro për OJQ-në që e ka themelu vetë dhe për atë të motrës së deputetit të LVV-së. Andaj Kryeminstër, para se të na lavdërohesh për namin që keni lanë në kulturë na trego fillimisht qendrimin tuaj lidhur me shpërndarjen e fondeve nga ana e Hajrullah Çekut se paku në dy raste? Çka mendon Kurti Kyreminister sot për këto dy raste? Përgjigju nëse të ka ngelë ndonjë trohë dinjitet!”, ka shkruar Bajrami.