Sveçla: Kapja e Faton Hajrizit, çështje orësh apo ditësh

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka folur rreth arratisjes së Faton Hajrizit nga burgu i Smrekovnicës së Vushtrrisë.
Ai në një konferencë për media në Qafë Morinë ka paralajmëruar se kapja e Faton Hajrizit, është çështje orësh apo ditësh.
“Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë duke parë efikasitetin e policisë, është çështje orësh apo ditësh”, ka thënë Sveçla.
Faton Hajrizi, i burgosur për vrasjen e ushtarit rus dhe vepra tjera penale, u arratis të shtunën e kaluar nga burgu dhe është shpallur në kërkim nga policia.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se për këtë çështje janë suspenduar dy oficerë.
Hajrizi ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus në vitin 2000, kur ai ishte rreth 15-vjeç. Për këtë vrasje, ai ishte dënuar 27 vjet burg.