Kaloni te përmbajtja kryesore

PDK do të inicojë mocion për shkarkimin e Bordit të RTK-së

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka njoftuar Grupi Parlamentar i PDK-së javën e ardhshme do ta dorëzojë mocionin për shkarkimin e Bordit të RTK-së, pas publikimit të lajmit të “Slobodna Bosna” në transmetuesin publik, përmes të cilit etiketoheshin dy mediume të Kosovës për lidhje me Serbinë.

Çitaku, në një konferencë për media, theksoi se mocioni për vënien para përgjegjësisë së këtij Bordi “që nuk e ka kurajën të mbrojë transmetuesin publik dhe standardet e gazetarisë mbi të cilat duhet të organizohet puna e transmetuesit publik, është i domosdoshëm”.

“Kjo nismë është e pandalshme, emergjente dhe në funksion të mbrojtjes së fjalës së lirë dhe lirisë së mediave. RTK është e publikut dhe nuk duhet të shndërrohet në instrument të pushtetit për të projektuar, organizuar dhe transmetuar shpifje dhe të pavërteta kundër mediave dhe kolegëve të tyre gazetarë me qëllim që t’i shërbejë partisë në pushtet në betejën e saj të dëshpëruar për të luftuar fjalën e lirë dhe të vërtetën që publiku duhet ta dijë”, tha ajo.

Çitaku tha se RTK-ja “dështoi t’u qëndrojë besnike parimeve themelore të gazetarisë, sepse nuk iu rezistoi dot presioneve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila RTK-në e ka shndërruar në media partiake”.
“Lajmet e rreme të RTK-së të cilat citonin po ashtu një medium boshnjak artikulli i të cilit mund të jetë shkruar në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, përbëjnë cenim direkt të sigurisë dhe jetës së gazetarëve të këtyre mediumeve nga njëra anë, por edhe shpërfaqin, nga ana tjetër, fushatën qeveritare kundër mediave dhe fjalës së lirë, si një vlerë kushtetuese dhe demokratike e shtetit dhe shoqërisë tonë. Prandaj, pas gjithë kësaj situate, RTK nuk e ka kredibilitetin e transmetuesit publik nëse nuk merren masa ndaj drejtuesve të tij. Aq më tepër që nga dita në ditë, u ndriçuan shumë rrethana edhe nga disa gazetarë të këtij mediumi e të cilët dëshmuan integritet profesional duke u distancuar nga lajme të tilla shpifëse. Ky lajm shpifës që trazoi themelet e fjalës së lirë në Kosovë dhe zgjoi edhe reagime të panumërta nga organizata vendore e ndërkombëtare, e ka një adresë të saktë, Bordin e RTK-së dhe drejtorin e Televizionit”, deklaroi Çitaku.

Çitaku tha se përfshirja e zyrtarëve të AKI-së, ashtu siç po raportohet, duhet të hetohet nga Prokuroria Speciale sa më parë, në mënyrë që të ndriçohet e vërteta.

“Mediat dhe puna e tyre e lirë, nuk duhet ta shqetësojnë asnjë qeveri e asnjë pushtet nëse këta të fundit e kryejnë detyrën zyrtare në bazë të ligjit. Por, kur ka keqpërdorime e abuzime, korrupsion e hajni, mediat luftohen sepse ato janë zëri i të vërtetës përmes të cilave informohen qytetarët”, tha Çitaku.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button