Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, Arbër Sejdiu me 15 vjet

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur sërish fajtorë Dardan Krivaqën dhe Arbër Sejdiun, të akuzuar për vrasjen e Marigona Sejdiut.

Dardan Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, në rigjykimin për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit. Dënimi është i njëjtë si në aktgjykimin e parë të Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Marigona Osmani ka qenë 18-vjeçare kur është vrarë, më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Në gusht të vitit 2023, Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, ndërsa Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës “vrasje e rëndë”.

Më 23 shkurt, Apeli e ka miratuar ankesat e avokatëve mbrojtës për aktgjykimin, me arsyetimin se ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit.

Sipas aktakuzës, Krivaqa, më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e ka detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Sipas aktakuzës, një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu e kanë vrarë të ndjerën në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa e Sejdiu, e kanë dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit, dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Ata janë akuzuar edhe për kryeje të dhunimit, por janë shpallur të pafajshëm në këtë pikë, në mungesë provash.

Back to top button