Kush po përfiton nga shtesat e fëmijëve?

Vendimi për rritjen e shtesave të fëmijëve po vlerësohet jo i kompletuar dhe po kërkohet plotësimi i tij. Organizata për mbrojtjen e fëmijëve konsideron se në këtë vendim duhet të përfshihen fëmijët deri në moshën 18 vjeç si dhe të mendohet një formë e aplikimit për të gjitha shtresat e shoqërisë.  Ndërkaq njohës të ekonomisë vlerësojnë se vendimi i Qeverisë ka prapavijë politike.

Fëmijët po i afrohen datës kur do t’i marrin shtesat me rritje. Nga 10 euro sa ishte dikur, nga muaji gusht kjo shumë do të rritet për 100 për qind. Selman Musa 58 vjeçar nga Klina ka 12 nipa e mbesa.

Sipas llogaritjeve ai do t’i marrë 240 euro në muaj. Ai e vlerësoj lartë këtë ndihmë të Qeverisë, pasi edhe jeton në kushte jo të mira ekonomike.

“Qysh nuk ju kanë gëzu, fmia vallai janë tranu prej gëzimi. Duhet me u rrit edhe ma shume”, tha Musa për RTV21.

Rritja e shtesave për fëmijët tash e një kohë të gjatë ka qenë kryefjala e organizatave që merren me mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë. Megjithatë Loreta Keqekolla vlerëson se ky vendim nuk është mirë i menduar.

“Si KOMF kërkojmë që këto shtesa të jenë për fëmijët deri në moshën 18 vjeçare. Një kërkesë tjetër ka të bëjë me bazën ligjore të këtyre shtesave duke qenë që vendimi për këto shtesa është marrë  në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike. Gjithashtu kërkesë tjetër ka qenë të mendohet më mirë pjesa e aplikimit. Ka familje që nuk i kanë mundësitë të kenë qasje në teknologji ose edhe për të pasur një llogari bankare në fakt këto grupe mbesin jashtë pasi nuk kanë mundësi për aplikim. Ne konsiderojmë që është dashur mënyrë alternative për këto grupe”, tha Keqekolla.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës po shihet si një vendim afatshkurtër dhe me prapavijë politike. Njohësi i ekonomisë Safet Gërxhaliu vlerëson se institucionet duhet të bëjnë një zgjidhje të përhershme për fëmijët.

“Nuk jetohet nga ndihma sociale, nuk jetohet nga asistenca sepse Kosova dhe qytetarët e Kosovës e meritojnë një dinjitet shumë më të lartë. Nuk duhet gjithmonë të kemi një qasje sociale vetëm kur afrohen zgjedhjet qoftë në nivelin lokal, qoftë atë qendror. Kjo është një tentativë e politizuar”, tha Gërxhaliu.

Për herë të parë shtesat për fëmijë në Kosovë kanë filluar të aplikohen në vitin 2021./RTV21/21Media

Back to top button