Osmani i reagon BE-së: Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratës së BE-së se se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë
Osmani ka kundërshtuar këtë duke thënë se një gjë e tillë asesi nuk duhet të ndodh.
“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, ka shkruar presidentja në Facebook.
Më tej ajo ka thënë se lidhur me këtë dialogu i vetëm që duhet të bëhet është ai brenda Kosovës.
“në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë. ”, ka përfunduar e para e vendit.
Bashkimi Evropian ripërsëriti qëndrimin e tij se hapja e urës së Ibrit është një çështje e dialogut të lehtësuar në Bruksel dhe bëri me dije se çfarëdo vendimi për urën duhet të merret në kuadër të dialogut.