Krejt çka dihet rreth incidentit në Aeroportin e Shkupit ku u përfshi Presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është përfshirë në një incident me pjesëtarët e sigurimit në Aeroportin e Shkupit, prej ku planifikonte të udhëtonte për diku nëpërmjet Zonës VIP. Sipas Presidencës, Osmani u provokua dhe u tentua që t’i merrej telefoni dhe bagazhi për t’iu kontrolluar në skaner. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se bagazhi megjithatë u skanua. Aeroporti i Shkupit ka bërë një reagim, pa ia përmendur emrin Presidentes, duke thënë se e kanë obligim ta kontrollojnë secilin pasagjer. Nga MPJD e kanë quajtur këtë trajtim jo dinjitoz, derisa kanë thënë se po mbledhin informata nga Ambasada e Maqedonisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
Sipas Kupinës, sigurimi më pas ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten dhe se pastaj ka reaguar Policia e Kosovës për të hapur rrugën.
Për rastin, u deklarua edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut. Ata thonë se një nga pjesëtarët e sigurimit të Presidentes ka ndërhyrë me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
Aeroporti i Shkupit u deklarua për incidentin, por pa i përmendur emrin Presidentes. Në reagimin e tyre thanë se kanë obligim ligjor që të kryejnë një kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe nga Aeroporti Sveti Apostol Pavle Ohër, duke përfshirë pasagjerët që udhëtojnë nëpër sallonin VIP.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar e shqetësuar për këtë incident dhe me trajtimin jodinjitoz të Presidentes.
MPJD ka thënë se përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?