Presidentja thotë se s’ka asnjë lidhje as njohuri me rrethanat që çuan në vrasjen 89-vjeçarit në Ferizaj

(Lajm i përditësuar)

Mbrëmë në oborrin e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt është qëlluar për vdekje 89-vjeçari Sadri Sadriu, i cili siç raportohet në media është axha i bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu. Sipas informacioneve të pakonfirmuara që dolën në media duke u thirrur në burimet e tyre, vrasja ndodhi nën dyshimet për “dhunimin” e dy vajzave (familjare të policit të dyshuar Festim Ramadani), nga ana e viktimës. Nacionale, raportoi se Prindon Sadriu dhe Vjosa Osmani ishin futur në një grup komunikimi në Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për tashmë viktimën Sadri Sadriu, për situatën e ndodhur.

Lidhur me këtë ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një shkrimi në llogarinë e saj “Facebook”.

Ajo ka thënë se nuk ka as ajo, as burri i saj asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme “aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi”.

Reagimi i plotë:

Reagim ndaj propagandës

Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera.

I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi.

Rrethanat që e kanë shtyrë Buzhalën dhe të tjerët në përhapjen e këtyre dezinformatave, kërkoj që urgjentisht të hetohen nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Buzhala me “Nacionalen”, dhe disa të tjerë, duke më implikuar mua dhe bashkëshortin tim në situata me të cilat nuk kemi asnjë lidhje të vetme, kanë qëllim të qartë të nxitjes së urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë.

Kjo lidhje e rrejshme dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi.

Ftoj sërish të gjitha organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje e njëkohësisht edhe veprimet e këtij portali dhe portaleve të ngjashme që kanë qëllim të qartë për të rrezikuar jetën dhe nxitur urrejtje, e që këtë mision po shihet se e kanë edhe portalet e Serbisë./21Media


Vrasja e axhës së Prindon Sadriut, Kupina thotë se Osmani s’ka lidhje as njohuri për rastin

Mbrëmë në oborrin e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt është qëlluar për vdekje 89-vjeçari Sadri Sadriu, i cili siç raportohet në media është axha i bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu. Sipas informacioneve të pakonfirmuara që dolën në media duke u thirrur në burimet e tyre, vrasja ndodhi nën dyshimet për “dhunimin” e dy vajzave (familjare të policit të dyshuar Festim Ramadani), nga ana e viktimës. Nacionale, raportoi se Prindon Sadriu dhe Vjosa Osmani ishin futur në një grup komunikimi në Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për tashmë viktimën Sadri Sadriu, për situatën e ndodhur.

Në një përgjigje me shkrim për portalin rtv21.tv shefi i stafit të Presidentes Osmani, Bekim Kupina, thotë se e gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje

Ai tha se “Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”.

Kupina tha se çifti Sadriu nuk përdorin “asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social”.

“E gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje. Presidentja dhe as Zotëria i Parë nuk përdorin asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe tendencioze. Kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë. Presidentja do t’i kundërshtoj me çdo mjet ligjor këto tendenca dhe tashmë ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që ta trajtojnë këtë me urgjencë. Tendenca për të ndërlidhur rastin e mbrëmshëm me Presidenten dhe familjen e saj të ngushtë e shndërron atë në një objektiv, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Kjo nuk ka të bëj me standard profesional të raportimit në media. Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”, tha Kupina për rtv21.tv.

I dyshuar për vrasjen është polici Festim Ramadani. Vrasjen dyshohet se e ka kryer me armën zyrtare.

I njëjti është arrestuar dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Lidhur me rastin, IPK ka njoftuar më vonë se është arrestuar edhe një i dyshuar./21Media

Back to top button