Abdixhiku premton ngrirje të çmimit të rrymës për katër vjet

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar se nëse vjen në pushtet ndër vendimet e para do të jetë ngrirja e çmimeve të rrymës për katër vjet e ardhshme.
Në tubimin e mbajtur para përkrahësve të kësaj partie në Rahovec, Abdixhiku ka premtuar edhe heqjen e TVSH-së për produktet bazike dhe masa për uljen e kostos së energjisë.
“Ne do ta heqim menjëherë barrën e kostos së jetesës. Do ta heqim plotësisht TVSH-në për të gjitha produktet bazike: për bukë, për qumësht, për vaj, për miell, për vezë, për secilin produkt esencial të familjeve kosovare”, ka thënë Abdixhiku.
Në Rahovec ai ka premtuar realizim të projekteve që do të transformojnë këtë qytet dhe gjithë Kosovën.
“Në qytetin e vreshtave, të punës e krenarisë, gjetëm një energji të jashtëzakonshme. Qytetarët e kësaj ane, si punëtorë që janë, e dinë mirë dallimin mes fjalëve dhe punës, mes premtimeve të thata dhe projekteve që ndryshojnë jetën e njerëzve. Folëm për Kosovën që duhet të ecë përpara. Për investimet që nuk presin më. Për bujqësinë që meriton mbështetje të vërtetë, për rrugët, shkollat, spitalet e mundësitë që mbajnë të rinjtë këtu. U zotuam për projektet që e zhvillojnë Rahovecin dhe gjithë Kosovën. Për një shtet që punon për qytetarin, jo për propagandën”, ka thënë ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?