Biden i përlotur thotë se dha më të mirën për Amerikën

Presidenti amerikan, Joe Biden, i përlotur doli në skenën e Konventës Kombëtare Demokratike të hënën mbrëma në Çikago, teksa u prit me brohoritjen “Faleminderit, Joe”.
Bideni në fjalimin e tij hapës të Konventës ka thënë se ka dhënë më të mirën për Amerikën dhe se zgjedhja e zëvendëspresidentes, Kamala Harris, për ta zëvendësuar si kandidate për presidente, ishte zgjedhja më e mirë që kishte bërë ndonjëherë.
“Kam bërë, kam bërë shumë gabime në karrierën time. Por ua kam dhënë më të mirën time. Për 50 vjet, si shumica prej jush, i kam dhënë zemrën dhe shpirtin kombit tonë, dhe kam qenë miliona herë i bekuar me mbështetjen e popullit amerikan. Kam qenë shumë i ri për t’u bërë pjesë e senatit, sepse atëherë nuk i kisha ende as 30 vjet, dhe shumë i vjetër për të qëndruar si president. Por shpresoj se e dini se sa mirënjohës jam për të gjithë ju”, është shprehur Bideni në fund të një fjalimi të gjatë dhe emocionues duke mbrojtur trashëgiminë e tij dhe duke përshëndetur Kamala Harrisin.
Presidenti ka thënë se demokratët ishin “në një betejë për shpirtin e Amerikës” përpara garës së nëntorit kundër Donald Trumpit.
Bidenit iu bashkua në skenë pas fjalimit gruaja dhe fëmijët e tij, si dhe Harris dhe kandidati për zëvendëspresident, Tim Walz.
Hillary Clinton, e cila humbi kundër Donald Trumpit në vitin 2016, ka thënë në një fjalim po ashtu në natën e parë të Konventës se ata ishin afër ta shihnin Kamala Harris si presidentja e parë femër e Amerikës.
“Unë e njoh zemrën e saj. Dhe integritetin e saj. Ne të dyja filluam si avokate të reja duke ndihmuam fëmijët që u keqtrajtuan dhe ata të neglizhuar. Kjo lloj pune ndryshon një person. Ata fëmijë qëndrojnë me ju. Kamala mbart me vete shpresat e çdo fëmije që ajo mbrojti, çdo familje që ajo i shërbeu. Pra, si presidente, ajo do të jetë një luftëtare ne punë dhe po, ajo do të rivendosë të drejtat e abortit në mbarë vendin”, ka deklaruar Clinton.
Harris është rritur në sondazhet kundër Trumpit që kur ajo u nominua për të zëvendësuar Bidenin muajin e kaluar, megjithëse gara mbetet jashtëzakonisht e ngushtë.