Sot përfundon afati për subjektet e reja politike për aplikim në zgjedhjet e 7 qershorit

Listës së 22 partive politike dhe 3 koalicioneve që deri më 7 maj njoftuan pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, mund t’i shtohen edhe subjektet e reja politike.
Sot, më 10 maj në orën 24:00, KQZ do të përmbyllë afatin për subjektet e reja politike, si nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, për të aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të radhës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për portalin rtv21.tv ka thënë se certifikimit do t’i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.
“Deri në orën 24:00 sonte, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, ka theksuar Elezi.
Ndërkohë, deri më 12 maj është afati për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë nga të gjitha subjektet politike që do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Deri më tani, nga 53 parti politike të regjistruara në Kosovë, 22 prej tyre kanë njoftuar KQZ-në se do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, 9 të tjera për mospjesëmarrje dhe janë formuar 3 koalicione të ndryshme.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?