Gashi: Qeveria të reflektojë ndaj sugjerimeve të SHBA-s pas vizitës së shefit të CIA-s në Kosovë

Atasheu i parë i Kosovës në Uashington, gjenerali në pension, Xhavit Gashi, në një intervistë për RTV21 ka thënë se vizita e shefit të CIA-s, William Burns, në Kosovë konfirmon përkushtimin e SHBA-së për mbështetjen e Kosovës dhe të institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës.
“Unë e kisha ndarë në dy kategori rëndësinë e kësaj vizite: E para rëndësia që i japin SHBA-të Kosovës si një shtet i vogël, por për një shtet që është aleat i besueshëm i SHBA-së. Pra, SHBA-ja vazhdon ta mbështet sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe tërë rajonit. Mesazhi tjetër që mund të jetë nga kjo vizitë, nuk është sekret pakënaqësitë që janë përcjellë nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë. Unë besoj se këto mesazhe janë diskutuar sepse Qeveria Amerikane kujdeset për të gjithë qytetarët e vet e mos të flasim për pjesëtarët ushtarak. Në këtë rast deklarata e ambasadorit Hovenier ngritë alarm që është situatë më kritike dhe Qeveria e Kosovës duhet t’i ketë parasysh. Jam i sigurt se këto mesazhe janë përcjellë edhe nga shefi i CIA-s. Një element tjetër i tretë, kur vjen një drejtor siç është ai i CIA-s në vendin tonë përveç informatave që mund t’i kenë institucionet e sigurisë apo dhe në bazë koordinimit apo bashkëpunimit me NATO-n, një person me atë pozitë mund të ketë informata që nuk mund t’i ketë institucionet qendrore të Kosovës. Këtu mund te jetë edhe ndarja e ndonjë informacioni për kërcënimet që drejtpërdrejtë i adresohen Kosovës. Mund të përcillen edhe mesazhe kritike”, tha ai për rtv21.
Gjenerali Gashi tha se Qeveria e Kosovës duhet ta luajë rolin si partner strategjik i aleatëve të Kosovës sikurse e trajtojnë ata Kosovën.
“Kjo vizitë është një moment kritik i reflektimit. Është mirë që në këtë mëngjes përveç presidentes Osmani që ka takuar mbrëmë ka takuar edhe kryeministrin Kurti. Është mirë që e ka takuar kryeministrin Kurti sepse i ka marrë drejtpërdrejt porositë dhe kanë pasur mundësinë të diskutojnë bashkë për sigurinë, për stabilitetin e Kosovës, por edhe për stabilitetin e rajonin sepse ne si partnerë i besueshëm duhet të luajmë rol jo vetëm në aspektin e brendshëm si Kosovë, por duhet të jemi si partner ashtu siç trajtohem strategjik që të kontribuojmë edhe për stabilitetin e rajonit”, tha ai tutje për RTV21.
Gjenerali në pension, Xhavit Gashi, është optimist se pas takimit me shefin e CIA-s kryeministri Kurti do të reflektojë ndaj kërkesave dhe sugjerimeve të SHBA-së.
“Jam i sigurt se do të ketë reflektim të Qeverisë ndaj këshillave dhe sugjerimeve të SHBA-së për mos ndërmarrjen e hapave të njëanshëm në veri. Sepse të gjithë ato të arritura që Kosova ka pasur që nga fitimi i luftës që e fituam së bashku me mbështetjen e SHBA-së, ndërtimi i institucioneve të sisgurisë edhe ato të mbrojtjes së sigurisë. Unë besoj se Qeveria gjithsesi do të reflektoj. Koordinimi me bashkësinë ndërkombëtare duhet të bëhët sepse mesazhi tjetër i kësaj vizite është se Kosova e ka dhe do të vazhdoj ta ketë mbështetjen e SHBA-së për hapat e mëtutjeshëm, por është moment kritik që Kosova të reflektoj se pa partneritet ose vendimet e koordinuara mirë me të gjithë partneret e Kosovës sidomos me SHBA-të nuk do të kemi të ardhme të ndritur. Siç keni mundur ta shihni në deklarata të ndryshme askush nuk është kundër mbrojtjen së sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Aleatët tonë sidomos SHBA-ja janë në anën tonë me qëllime të njëjta” tha Gashi për RTV21./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?