Një muaj paraburgim për shtetasin e Maqedonisë së Veriut që u kap me drogë

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer në bashkëkryerje veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
I.M iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ilir Bytyqi,, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se me datë 21 gusht 2024 në bashkëkryerje pa autorizim kanë transportuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, substancë narkotike të dyshuar si heroinë. Në atë mënyrë që me veturën e markës “Audi” të pandehurit U.B. dhe M.Sh., lëndën narkotike të dyshuar si heroinë me peshë të përgjithshme 6.137.06, e kanë transportuar përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ndërsa i pandehuri I.M. me veturën e tij të markës “Golf” i kishte pritur në parkingun e një ndërmarrje tregtare në Han të Elezit, së bashku me agjentin e policisë i cili ishte duke realizuar masat e veçanta hetimore shitje dhe blerje e simuluar e artikujve, shërbimeve apo sendeve, kështu të pandehurit U.B. dhe M.Sh., e kishin sjell lëndën narkotike me veturën “Audi” afër veturës “Golf”, me ç` rast i pandehuri I.M., merr lëndën narkotike nga vetura “Audi” dhe kthehet tek vetura e tij, me qëllim që t`a dorëzoj tek Agjenti i policisë si blerës i simuluar, mirëpo intervenojnë Njësitë mbështetëse të Policisë të cilat e arrestojnë të pandehurin I.M. si dhe sekuestrojnë veturën “Golf” dhe lëndën narkotike. Ndërsa, të pandehurit U.B. dhe M.Sh. janë arratisur.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./21Media