Izraeli godet objektivat e Hezbollahut në Liban

(Lajm i përditësuar)


Netanyahu: Kushdo që na lëndon – ne i lëndojmë ata

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka folur në fillim të një takimi urgjent të kabinetit të sigurisë kombëtare në Tel Aviv.

“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të mbrojtur vendin tonë, për t’i kthyer banorët e veriut të sigurt në shtëpitë e tyre dhe të vazhdojmë të mbajmë një rregull të thjeshtë: kushdo që na lëndon – ne i lëndojmë ata,” tha ai.

Netanyahu tha se ushtria izraelite kishte vepruar “në mënyrë proaktive për të hequr kërcënimin” pasi zbuloi përgatitjet e Hezbollahut për të sulmuar Izraelin.

“IDF që atëherë ka punuar intensivisht për të penguar kërcënimet”, tha ai.

“Ajo shkatërroi mijëra raketa të drejtuara në veri të vendit; po pengon gjithashtu shumë kërcënime të tjera dhe po vepron me fuqi të madhe – si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”.


Sulme me raketa ndërmjet Izraelit e Hezbollahut, reagon Bideni

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka urdhëruar zyrtarët të mbajnë komunikim të ngushtë me Izraelin pas sulmeve ndërmjet tij dhe Hezbollahut në Liban, që nisën herët të dielën.

Bideni ka deklaruar se do të “vazhdojë të mbështesë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”, sipas një zëdhënësi të sigurisë kombëtare, raporton BBC.

Pentagoni ka reaguar gjithashtu duke thënë se SHBA-ja është “e vendosur për të mbështetur” mbrojtjen e Izraelit.


Izraeli godet objektivat e Hezbollahut në Liban

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se avionët e saj luftarakë po godasin objektivat e Hezbollahut në Liban pasi zbuluan lëvizje të tyre për të lëshuar raketa në Izrael.

“Në një akt vetëmbrojtjeje për të hequr këto kërcënime, IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) po godet objektivat e terrorit”, ka thënë zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari, raporton BBC.

Izraeli ka thënë se civilët libanezë ishin paralajmëruar që të largoheshin menjëherë nga zonat ku vepronte Hezbollahu, një grup mysliman shiit i mbështetur nga Irani.

Menjëherë më pas, Hezbollahu kishte bërë të ditur se kishte nisur një sulm në shkallë të gjerë me dron mbi Izraelin, në përgjigje të vrasjes së muajit të kaluar të komandantit të lartë ushtarak të grupit.

Sirenat paralajmëruese të raketave në hyrje u dëgjuan të dielën herët në të gjithë Izraelin verior.

Nuk pati raportime të menjëhershme për ndonjë të lënduar.

Në një deklaratë, IDF tha se Hezbollahu “sapo ka lëshuar mbi 150 predha nga Libani drejt territorit izraelit”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se ka thirrur një takim urgjent të kabinetit të tij të sigurisë.

Izraeli ka shkëmbyer zjarr me grupin militant me bazë në Liban që nga fillimi i luftës tetorin e kaluar me Hamasin në Rripin e Gazës.

Hamasi, ashtu si Hezbollahu, mbështetet nga Irani.

Show More
Back to top button