A po dështon marrëveshja e Ohrit Kosovë-Serbi?

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që urgjentisht të fillojnë të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, ndryshe siç thonë zyrtarët e BE-së Kosova dhe Serbia do ta dëmtojnë rrugën për anëtarësim në BE. Përfaqësuesit e partisë në pushtet Vetëvendosje thonë se Serbia nuk ka interesim për zbatimin e marrëveshjes. Kërkojnë nga BE-ja të merr masa ndaj Serbisë për shkelje të marrëveshjes.
Bashkimi Evropian ka vazhduar përpjekjet që t’i detyrojë Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, duke e ndërlidhur me rrugën integruese për të dyja palët.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se qëndrimi i BE-së është i palëkundur se rruga e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbinë në Bashkimin Evropian është përmes zbatimit të marrëveshjes.
“Duhet urgjentisht të fillohet me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe aneksit të saj. Progresi në këtë drejtim është i lidhur ngushtë me progresin në rrugën e anëtarësimit në BE të Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.
Por, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se Serbia nuk e ka pranuar planin franko-gjermane në bazë të cilin Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Ohër. Bashkimi Evropian u ka kërkuar zyrtarëve të Serbisë që të përmbahen nga këto deklarata që e vënë në dyshim marrëveshjen.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka kërkuar sanksione ndaj Serbisë si shkelëse e marrëveshjes bazë. Deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosje, Driton Hyseni, tha se është e vështirë të ketë normalizim me Serbisë kur kjo e fundit nuk e njeh marrëveshjes e arritur në Bruksel dhe aneksin e saj në Ohër.
“Duke marr për bazë qëndrimet që ka Serbia për marrëveshjet në Bruksel sidomos asaj në Ohër për të pas një plan veprimi për zbatimin e marrëveshjes. Qëndrimi i fundit i kryeministrit serb se nuk e njeh marrëveshjen, unë mendoj se BE-ja duhet ta sqaroj së pari me Serbinë çështjen e të gjithë këtij procesi e sidomos të marrëveshjes së Ohrit. Mendoj se pa e qartësuar këtë pjesë nuk e di se si duhet të shkohet e të dialogohet me Serbinë në Bruksel. Me qasjen e saj Serbia po tregohet destruktive për normalizim të raporteve. Serbia në këtë kohë nuk është e interesuar të zbatojë marrëveshjen, por ka interesim të influencoj në veri të vendit”, tha Hyseni për rtv21.
Politologu Fidan Ukaj, i tha RTV21 se Bashkimi Evropian vazhdimisht po bënë thirrje në drejtim të Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet, por sipas tij, BE-ja duhet ta ketë një strategji që marrëveshjet të zbatohet paralelisht nga palët.
‘’Fasilituesi ka qenë i njëanshëm. Avancim të procesit nuk ka pasur. Mungesa e nënshkrimit të marrëveshjes po i jep mundësi Serbisë të manovroj edhe të deklarojë se nuk e njohim marrëveshjen”, tha Ukaj.
Mos zbatimi i marrëveshjes bazë ka bërë që Kosova dhe Serbia të kenë akuza të ndërsjella. Ndërkohë, politologu Ukaj vlerëson se vizita e shefit të CIA-së në tri vendet e Ballkanit do të ketë ndikim për ruajtjen e stabilitetit rajonal.
“Vizita e Burns ka pasur mesazhe të qarta për Serbisë që të ruaj stabilitetin rajonal dhe të largohet nga shërbimet sekrete Ruse. Mesazhi për kryeministrin Kurti ka qenë që të koordinoj veprimet”, tha Ukaj.
Kosova dhe Serbia që nga arritja e marrëveshjes në Ohër kanë pasur akuza të ndërsjella për shkelje të saj. Serbia akuzohet për shkelje të nenin 4 në të cilin thihet se Serbia “nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Ndërsa, Kosova akuzohet për mos zbatimin e nenit shtatë për zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe./RTV21/21Media