Vengu: Privilegj që Kosova të kthehet në aktor që kontribuon në siguri kolektive

(Lajm i përditësuar)


Ministri i ri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu pas takimit me homologun nga Kosova, Ejup Maqedoncin, foli para mediave.

Ai u shpreh se si në takim me kryeministrin Albin Kurti, ashtu edhe me Maqedonci u diskutua për sigurinë në rajon, fuqizimin e ushtrisë së Kosovës si dhe bashkëpunimi i mëtejmë i dy vendeve.

“Është privilegj të jem këtu, patëm mundësi të shkëmbejmë përpjekjet e përbashkëta për emergjencat Rritja e kapaciteteve, kemi në dispozicion të gjitha instrumentet e institucionet tona, që FSK-ja të ketë të gjitha për trajnimet e nevojshme. Po ashtu diskutuam për çmontimin e zonave të rrezikuara, që të gjithë të jenë të sigurt. Edhe për bashkimin e forcave dhe synojmë të krijomë grupe të bashkuara. E sigurisë në rajon, të gjitha kërcënimet që ka Kosova, KFOR-i është instrument për siguri”, tha ai.

Ndër të tjera, ministri tha se Shqipëria e ndjen si privilegj ta ndihmojë Kosovën që të kthehet në aktor që kontribuon në siguri kolektive.

“Shqipëria ka një kontribut të veçantë, dhe e kemi privilegj që Kosova me gjithë përpjekjet e saj të kthehet në aktor që kontribuon në siguri kolektive”, tha Vengu.


Maqedonci: Me Vengun diskutuam për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë ushtarake

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci deklaroi se në takimin me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, kanë diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë ushtarake.

Sipas tij, Kosova e Shqipëria po bashkëpunojnë në vazhdimësi për tu përballur me çdo rrezik e kërcënim.

“Vlerësuam që ka mundësi për thellim të bashkëpunimit në fushën e trajnimeve, edhe në zgjerimin e këtij bashkëpunimi në industrinë ushtarake që është një element i ri i cili po zhvillohet në Shqipëri. Këtu nga ndërtesa e Ministrisë së Mbrojtjes dua të them se ne me Republikën e Shqipërisë jemi, kemi qenë dhe bashkëpunojmë në vazhdimësi për tu përballur nga çdo rrezik dhe kërcënim”, u shpreh Maqedonci.

Edhe homologu nga Shqipëria, Pirro Vengu theksoi se në këtë takim janë dakorduar për një sërë përparësish që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve.

Ministri Vengu u pyet edhe nëse do të shtojnë trupat në Kosovë, për çka theksoi se kjo ka ndodhur në kuadër të aleancës dhe komandimit të përbashkët.


Ministri Vengu jep detaje nga takimi me Kurtin

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka dhënë detaje nga takimi i sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në Instagram ku Vengu shpërndau disa fotografi brenda takimit, ai zbuloi se me Kurtin vendosën theksin në forcimin e bashkëpunimit në rrafshin e mbrojtjes, stabilitetin rajonal dhe ndërveprimin e domosdoshëm me aleatët tanë për një konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Sot në Kosovë për të folur për ato ura që na lidhin, e të tjera që duhet të shtojmë në rrugëtimin tonë të përbashkët. Në takimin tejet të hapur e miqësor me Kryeministrin Albin Kurti vendosëm theksin në forcimin e bashkëpunimit në rrafshin e mbrojtjes, stabilitetin rajonal dhe ndërveprimin e domosdoshëm me aleatët tanë për një konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Investimet e përbashkëta në mjete dhe kapital njerëzor, janë një kontribut në sigurinë kolektive”, ka shkruar Vengu.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Pirro Vengu (@pirrovengu)


Maqedonci pret në takim homologun e tij nga Shqipëria, Pirro Vengun

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci po pret në takim ministrin e ri të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu.

Ai u prit me ceremoni ushtarake, ku pas takimit dy ministrat do të mbajnë konferencë për media.

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë u prit në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.


​Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë sot në Kosovë

Ministrin e ri i Mbrojtjes në Qeverinë e Shqipërisë, Pirro Vengu, sot do ta vizitojë Kosovën, ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ai vizitën e ka nisur në Qeverinë e Kosovës, ku është parë duke hyrë në objekt në mëngjes.

Ai do të pritet në Ministri të Mbrojtjes me ceremoni ushtarake, ndërsa pas takimit të dy ministrat do të japin deklarata për media.

Agjenda:

08:30-09:30 Takim i Minstrit Vengu me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti

09:30-10:00 Lëvizja për tek Ministria e Mbrojtjes

10:00-10:05 Pritja e Ministrit Vengu me Ceremoni Ushtarake

10:05-10:10 Foto e përbashkët (ministrat)

10:15-10:30 Takim tete a tete (ministrat)

10:30-11:15 Takim Bilateral (dy delegacionet) –shkëmbim dhurate pas takimit( salla 013)

11:15-11:30 Deklarate për media

Back to top button