Protestë në Mitrovicën e Veriut për shkak të arrestimeve

Më 11 shtator, qindra pjesëtarë të komunitetit serb janë duke protestuar para stacionit të policisë në Mitrovicën e Veriut në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të katër të rinjve serbë një ditë më parë nga Policia e Kosovës.

Disa aktivistë serbë dhe qytetarë të Mitrovicës së Veriut kanë thënë se të rinjtë janë rrahur nga zyrtarët policorë, ndërsa Policia e Kosovës ka deklaruar se të rinjtë në fakt kanë sulmuar dy policë, dhe se gjatë arrestimit është përdorur forcë minimale për t’ua vënë pranga, raporton Radio Evropa e Lirë

Protestuesit po mbajnë pankarta me mbishkrimin “Lironi fëmijët tanë” dhe “Policia e Kurtilandit”, si dhe po përdorin bilbila për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Në protestë ishte i pranishëm edhe anëtari i partisë Demokracia Serbe, i cili pretendon se Policia e Kosovës po përdor forcë të tepruar.

Më parë, për arrestimin e të rinjve reagoi edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, duke theksuar se “brutaliteti i Policisë së Kosovës ndaj serbëve, nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti, është bërë përditshmëri në veri të Kosovës”.

Reagime ka pasur edhe nga Beogradi, duke pretenduar se Policia e Kosovës i ka rrahur të rinjtë, ndërsa nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë kanë deklaruar se ekziston një video e ruajtur që provon “torturën”.

Katër të rinjve të ndaluar në Mitrovicë të Veriut, për “sulm ndaj personit zyrtar”, të martën u është caktuar masa e paraburgimit

Back to top button