Punëtorët teknikë të Kuvendit në grevë kërkojnë rritje page

19 punëtore teknike të Kuvendit të Kosovës nga sot kanë hyrë në grevë. Kërkesa kryesore e tyre është rritja e pagës në 550 euro.
Përfaqësuesja e këtyre punëtoreve, Nazife Krasniqi u shpreh se me pagën që aktualisht kanë nuk po arrijnë të mbijetojnë.
“I kemi pagat shumë të ulëta, jemi të pakënaqur me paga të ulëta pavarësisht se kemi bërë kërkesa disa herë është pa përgjigje… Konkretisht kërkesa jonë është rritja e pagës ne jemi me pagë 275 euro, të gjitha institucionet janë bërë pagat 410 euro, këtu nuk ka lëvizur asnjë cent….550 euro kërkesa jonë është e pagës se nuk mund t’ia dalim me 275 euro”, tha ajo.
Sipas Krasniqit përkundër që kërkesën e tyre e kanë adresuar nuk kanë marr asnjë përgjigje.
Përfaqësuesja e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës paralajmëron se grevën nuk do ta ndërpresin deri në realizimin e kërkesës së tyre për ngritje të pagës në 550 euro.
“Ia kemi adresuar Kuvendit, sekretarit, drejtorit të administratës, kryetarit të Kuvendit, operatorit ekonomik pa përgjigje. Operatori ekonomik nuk ka ardhur të na takoj asnjëherë…. Nëse nuk i përgjigjen kërkesës ne do të qëndrojmë në grevë. Kështu nuk punojmë dhe nuk kryejmë shërbime…. Paga është e pamjaftueshme kemi udhëtim, ushqim punojmë pas orarit të punës kur ka seanca, ka komisione ne jemi të obliguar me nejt edhe pas orarit të punës, pas orarit nuk paguhet”, theksoi Krasniqi.
E me një familje katër anëtarësh po e ka të pamundur të mbijetoj me pagën aktuale 275 euro, që aktualisht po e siguron kryefamiljarja, Feride Musliu.
“Jemi katër anëtarë me 275 euro rrogë nuk po mundem me ia dal muajit. Kam kredia, shumë vështirë është për një kryefamiljar me mbijetu me 275 euro… Vetëm me këtë 275 euro rrogë që i marr, asgjë tjetër me këtë jetoj duhet me u përball me të gjitha mënyrat për të mbijetuar”, tha ajo.
Edhe në fillim të muajit korrik punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës kishin protestuar me kërkesën për rritje të pagës.