Global Albanian Gastronomy Festival, panairi tregtar shqiptar mbahet më 2 tetor në Berlin

Panairi tregtar i organizuar nga shqiptarët jashtë vendit “Global Albanian Gastronomy Festival” (GAGF), do të mbahet më 2-3 tetor 2024, në Arena Halle në Berlin.
Ky event gjithëpërfshirës do të mbledhë gastronomë, biznesmenë, personalitete shqiptare nga e gjithë bota, si dhe personalitete gjermane, në një program të pasur me panair tregtar, panele diskutimi, show të gatimeve shqiptare dhe mbrëmje gala. Emisioni “N’Maje t’Gjuhës me Xherin” është partner i këtij festivali.
Në njoftimin për media thuhet se në ceremoninë hapëse më 2 tetor 2024 ora 10:00, do të marrin pjesë edhe Vjosa Osmani, presidente e Republikës së Kosovës, Edi Rama, kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Cem Özdemir, ministër i Ushqimit dhe Bujqësisë i Republikës së Gjermanisë, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe Nik Gjeloshaj, zëvendëskryeministër i Malit të Zi.
Po ashtu të pranishëm do të jenë përfaqësues të lartë nga Komuna e Berlinit, personalitete të tjera nga biznesi dhe politika gjermane, si dhe figura të njohura shqiptare.
“Nën moton ‘Aty ku tradita takohet me tregtinë’, GAGF ka për qëllim të tregojë potencialin kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve në një skenë ndërkombëtare.
Për detaje të mëtejshme, vizitoni linkun: https://gagfestival.com/agenda