Tusk bën thirrje për pezullimin e së drejtës së azilit në BE

Kryeministri polak Donald Tusk njoftoi të shtunën propozime për të reformuar procedurat e azilit në Bashkimin Evropian, duke përfshirë një pezullim të përkohshëm të së drejtës për azil, si pjesë e një plani më të gjerë për forcimin e kufijve të Polonisë dhe kontrollin e migracionit.
Duke folur në konventën e partisë së tij në Otwock, pranë Varshavës, Tusk tha: “Një nga elementët e strategjisë së migracionit do të jetë pezullimi i përkohshëm territorial i së drejtës për azil dhe unë do të kërkoj të drejtën për ta njohur këtë vendim në Evropë”.
Ai tha se politikat aktuale të azilit po shfrytëzohen nga presidenti bjellorus Alexander Lukashenko dhe ai rus Vladimir Putin, si dhe nga trafikantët e qenieve njerëzore.
Tusk theksoi se Polonia duhet “të rifitojë kontrollin 100% se kush hyn dhe largohet” nga vendi, duke pohuar se sistemi i azilit po keqpërdoret. Polonia ka qenë një rrugë kryesore për migrantët, veçanërisht ata nga Lindja e Mesme dhe Afrika, që kalojnë ilegalisht kufirin nga Bjellorusia, të cilët, argumentoi Tusk, po shtyhen nga autoritetet bjelloruse për të destabilizuar Poloninë dhe BE-në.
Duke adresuar kritikat për qasjen e Polonisë ndaj sigurisë kufitare, Tusk mbrojti masat e rrepta kufitare, duke thënë: “Nuk ka politikë më humane për parandalimin e fatkeqësive në kufi sesa mbrojtja efektive e këtij kufiri”.
Tusk sulmoi gjithashtu qeverinë e mëparshme të udhëhequr nga partia Ligj dhe Drejtësi, duke e akuzuar atë për krijimin e një “sistemi të korruptuar” që lejonte “qindra mijëra” emigrantë të padëshiruar të hynin në Poloni, qoftë përmes kalimeve kufitare ose politikave të vizave.
Tusk preku gjithashtu integrimin e emigrantëve, një temë qendrore për rritjen e ndjenjave nacionaliste në Evropë, duke thënë se “nëse dikush dëshiron të vijë në Poloni, ai duhet të pranojë standardet, zakonet polake dhe duhet të dëshirojë të integrohet”.