Rritja e pagave, fushatë zgjedhore apo vendim real?

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se rritja e pagave në fund të këtij mandati është bërë për shkak të planifikimit buxhetor për vitin 2025 e jo për fushatë zgjedhore. Sipas pushtetit opozita është ajo që po bën fushatë zgjedhor me premtime për rritje pagash. Opozita ndërkaq e cilëson si mashtrim vendimin për rritjen e pagave. Qytetarët me mendime të ndryshme.

Rritja e pagave në sektorin publik, dhe rritja e pensioneve janë dy vendimet që mori Qeveria e drejtuar nga kryeministri Kurti brenda një muaji. E këto vendime që erdhën në prag të zgjedhjeve të reja, ngritën diskutimet nëse ato po bëhen vetëm për fushatë zgjedhore.

Ndër qytetarë ka mendime të ndryshme.

“Vendimi i përket fushatës zgjedhore çka nuk përkon me realitetin gjendjes aktuale dhe te kaluarës. Katër vite po e lë gjendjen e tille dhe tre muaj para zgjedhjeve po tenton të bëjë rritje duke thënë se po menon për popull. Kjo nuk më duket ne rregull çdo rritje e ka kohën e caktuar”

“Çdo vendim qe merr qeveria për popullin është i mirë… shumë vendim i mirë është ka edhe një pjesë që e dinë qe mirë është por për çështje politike çdo gjë që bën qeveria e kundërshtojnë …jo nuk është për fushatë.”

“Nuk janë reale për fushatë zgjedhore po bëhen këto…. S’është kurgjo hiç ma shume janë rrite çmimet se këto rritje që po bëhen nga qeveria’

“Çfarë rritje është kjo kjo është për fushatë për mashtrim po s’mundet..”

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se rritja e pagave ashtu si rritja e pensioneve është bërë për shkak të planifikimit buxhetor për vitin 2025 e jo për shkak të zgjedhjeve.

“Është fundi i mandati është fillimi i planifikimit te buxhetit 2025 dhe me ligjin e ri pagave natyrisht duhet te inkorporohej në ligjin per buxhetin secilin planifikim rritja e pensioneve apo pagave ne sektorin publik. Kjo ndërlidhjet me lëvizjen që janë bërë për rritjen pagave. Është viti tretë me radhe që po rritën pagat dhe rritja po behtë ne fund te vitit sepse duhet te përfshihen ne ligjin për buxhetin. Jo ka rastis e Fushata zgjedhor të jetë vitin e ardhshëm dhe kjo rastisje e fushatës është kur ne dhjetor miratohet buxheti i ri dhe natyrisht datat janë hapur dhe mund te interpretohet si fushatë”, tha Agon Batusha nga Vetëvendosje.

Sipas vendimit të Qeverisë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik pagat do të rriten 55 euro nga janari e 110 euro nga muaji korrik 2025.

Këtë rritje të pagave, LDK-ja e cilëson si fushatë zgjedhore por jo edhe premtimet e saj për rritje të koeficientit të pagave 150 euro, ashtu siç deklaroi një ditë më parë kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

“Tërësisht në funksion te fushatës zgjedhore… niveli i rritjes është shumë i vogël.. dhe e si e tillë nuk është përgjigje krizës sociale ekonomike. Lumir abdixhiku do ta beje koeficientin 150. Ky veprim nëse nuk shoqërohet edhe me ndryshimet e nevojshme legjislative do të jetë i pazbatueshëm. (jo e kemi thënë kaherë”, tha Driton Selmanaj nga LDK

AAK-ja ndërkaq vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave e cilëson si mashtrim në prag të zgjedhjeve parlamentare.

“Pagat nuk janë rrite dje ajo ka qenë nje mashtrim Pagat rriten kur ligjin për buxhet ngritët vlera e koeficientit dje është fol për hierarkinë e koeficienteve e kjo s’është rritje për mu bo rritja duhet të ndyshohej ligji i pagave kjo është një mashtrim i tij ne proces të krejt mashtrimeve që i bënë në situata para zgjedhjeve. Kjo është fushate zgjedhore gjynah është pas katër vjetësh me dale me thane e rrit më 50 euro”, tha Besnik Tahiri, shef i Grupit parlamentar të AAK-së

Opozitës i kundërpërgjigjet deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Batusha.

“Por kush po flet pozita e cila krejt fushatën po e bënë nga 130 ne 150, 160 mund te shkojnë herën tjetër me premtime për koeficientin..ata po bëjnë vet fushatë duke premtuar gjithnjë e me shume paga e pensione e ne anën tjetër po e akuzojnë qeverinë qe është ne detyre ene afatet ligjore të ligjit për buxhetin po e akuzojnë kinse për fushate”, tha Batusha.

Vendimi për rritje të pagave në sektorin publik nga janari erdhi vetëm tri javë pasi Qeveria i rriti për 20 për qind pensionet që financohen nga shteti.

Nga rritja e pagave do të përfitojnë mësimdhënësit, policët, ushtarët, infermierët dhe zjarrfikësit, të cilëve sipas Qeverisë do t’u rriten pagat për 18 deri 20 për qind./RTV21/21Media

Back to top button