Kuvendi të hënën do ta diskutojë buxhetin e vitit 2025, opozita s’do ta votojë

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur se të hënën e ardhshme është vendosur të mbahet seanca në të cilën do të diskutohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Gashi ka thënë pas mbledhjes së kryesisë të hënën, se do të jetë një seancë dinamike.
“U vendos qe ditën e hënë të jetë një seancë, diskutimi i buxhetit të Republikës. Do të jetë një seancë dinamike që e ka një fokus të veçantë. Vendimmarrja në Kuvend vazhdon të jetë e vështirësuar. Ne si grup parlamentar i LDK-së do të jemi prezent…Java e ardhshme do të jetë përcaktuese në mënyrën se si do te shihet buxheti i ardhshëm”, është shprehur Gashi.
Ai ka thënë se LDK-ja nuk do ta votojë buxhetin.
“Do të japim vërejtjet, propozimet tona, dhe nëse ato merren parasysh do ta shohim si mundësi”, ka deklaruar Gashi.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë se buxheti i vitit të ardhshëm e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik.
Tahiri ka thënë se edhe AAK-ja do ta kundërshtojë buxhetin.
“Buxheti i kësaj qeverie është buxheti i cili e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Është buxhet i cili ja ka varros shpresën 80 mijë njerëzve që punojnë në shtet, është buxhet që nga ne do të kundërshtohet fuqishme dhe është buxhet që duhet të rishikohet në mars të vitit te ardhshëm. Nuk ka mundësi ky ligj as të përmirësohet më. Për tu përmirësuar duhet së paku të ndodhen nga 50 amandamentime që do të rregullonin prej pagave e deri te çështjet më minore. Ne nuk e votojmë këtë buxhet”, ka deklaruar Tahiri.