Muriqi udhëheq Kosovën në “finalen” ndaj Rumanisë

Vedat Muriqi do ta udhëheqë Kosovën në ndeshjen vendimtare ndaj Rumanisë. Kosovës i duhet fitorja me disa gola dallim, ndërsa atë do ta kërkojë me Muriqin në sulm.
Sulmuesi kryesor i mungoi Kosovës në dy ndeshjet e tetorit për shkak të një lëndimi. Ka nisur të luaj te Mallorca dhe pritet të startojë ndaj Rumanisë për Kosovën, më 15 nëntor në Bukuresht.
Selektori i Kosovës, Franco Foda, të shtunën shpalli listën e lojtarëve për ndeshjet me Rumaninë dhe Lituaninë. Ndeshja Kosovë – Lituani është më 18 nëntor.
Por i gjithë fokusi është te ndeshja me Rumaninë, që do të vendosë për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Rumania udhëheq në grup me 12 pikë, tri më shumë se Kosova.
Rumania kishte fituar 3:0 ndaj Kosovës më 6 shtator në Prishtinë. Kosovës i duhet fitore më e thellë në Bukuresht për ta kaluar Rumaninë në renditje.
Siç edhe e ka bërë zakon prej që u emërua trajner i Kosovës, Foda ka përfshirë edhe disa lojtarë në atë që e quan “listë e zgjeruar”.

