Peci reagon për dhënien e granteve, thotë se është “cak i sulmeve dhe shpifjeve” nga LDK e PDK

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar pas raportimeve për përfitimet e familjarëve të deputetëve të pushtetit në grante bujqësore, duke thënë se janë hequr kriteret diskriminuese dhe programet janë bërë më të qasshme për fermerët, bazuar në meritokraci e transparencë.
Peci për këtë situatë thotë se ishte “cak i sulmeve e shpifjeve” dhe sa i përket ndarjes së granteve ai pohon se “në asnjë rast të vetëm,nuk kam ushtruar asnjë ndikim e asnjë intervenim”.
“Me qëllim të formalizimit ne bujqësi, cdo individ që është përfitues në vlerë më të larte se 30,000 €, para nënshkrimit të kontratës me AZHB-në, duhet t’i regjistrojnë veprimtarinë e tyre si biznes dhe investimet/shpenzimet e zbatimit të projektit duhet të faturohen në emër të biznesit. Në dy programet e fundit për zhvillim rural 351 raste të tilla, ndërmarrje të reja të regjistruara. Ndërsa rreth pretendimit se projekti i perfituar nuk është realizuar, ju informojmë se afati për implementimin e projekteve të tilla zgjat 12 muaj”, deklaron ministri Peci.