Plagosjet në Prishtinë, një i arrestuar e tjetri në arrati

(Lajm i përditësuar)
Plagosjet në Prishtinë, një i arrestuar e tjetri në arrati
Policia e Kosovës njofton se lidhur me rastin e plagosjes së dy personave në Prishtinë është arrestuar një i dyshuar derisa tjetri është në arrati.
“Ndërlidhur me rastin e mësipërm , veprimet e shpejta operativo hetimore të policisë kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar të përfshirë në rast.
Pak kohë pas ngjarjes njëri nga ta është arrestuar nga ana e policisë, ndërkaq tjetri është ende në arrati.
Po ashtu është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga policia.”, tha për portalin rtv21.tv zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Të shtëna me armë në Prishtinë, dy të plagosur
Dy persona janë lënduar pas disa të shtënave me armë zjarri në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë.
Lajmin për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Mon Balaj” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia në mënyrë aktive po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”, tha ai.