Kurti: Qëndroj me krenari dhe vetëbesim pasi këto katër vjet ishin të mbushura me arritje

Lajm i përditësuar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është paraqitur sot përballë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutohet për qeverisjen e tij katërvjeçare.

Ai para tyre tha se qëndron me krenari dhe vetëbesim, pasi sipas tij këto katër vjet qeverisje, kanë qenë të mbushura me plot arritje.

“Sot qëndroj para jush me krenari dhe vetëbesim mbi këtë katërvjeçar të qeverisjes sonë, që ka qenë me përplot të arritura, dhe me më shumë sfida se zakonisht jemi mësuar”, tha Kurti.

“Është një histori ndryshimesh të cilat e prekin jetën e përditshme e të gjithë qytetarëve, që do të thotë edhe të secilës kategori shoqërore. Këto histori suksesi flasin njëkohësisht për një të ardhme më të mirë, që nuk e përjashton askënd dhe shifrat që do t’i prezantoj, padyshim se kanë shpirt, meqenëse ato kanë vënë në lëvizje, mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin e tyre, mundësitë për të ardhmen, pa diskriminim e pa privilegje”.

Kurti ka thënë se ekonomia ka shënuar rritjen më të madhe dhe njëkohësisht më solide.

“Në këto katër vjet kemi pasur mesatarisht rritje prej 6.36 për qind të bruto produktit vendor”, është shprehur Kurti, suke shtuar se asnjëri nga këto katër vjet nuk ka pasur rritje reale nën 4 për qind, pasi rritjes t’i hiqet inflacioni.

Sipas tij në këto katër vjet papunësia ka rënë nga 25.8 për qind në 10 për qind. Sfidë në këtë aspekt ka thënë se mbetet aktivizimi i grave në tregun e punës.

“Kemi papunësi të zvogëluar sepse kemi punësim të shtuar”, është shprehur Kurti.

Ai ka folur edhe për mbylljen e strukturave paralele në veri.

“Janë mbyllur shërbimet ilegale në komunat veriore, i kemi eliminuar ndikimin e organizatave terroriste, por kjo nuk do të thotë që nuk ka elemente kriminale atje … kemi shtruar rrugë edhe në komunat në veri, gjithnjë ma shume qytetarë serbë po bashkëpunojmë ne institucionet e Kosovës”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se e di që janë kritikuar që nuk ka njohje të reja, por ka theksuar se nuk e kanë premtuar këtë në fushatë.

“Ne kemi premtuar punësim e drejtësi”, është shprehur ndër të tjera Kurti.

Back to top button