Gëzim Sveçla: Po më dërgojnë në mbajtje për 48 orë

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka njoftuar se është ftuar nga Policia e Kosovës për të dhënë një deklaratë në lidhje me dëmtimin e pajisjeve në sallën e asamblesë në kryeqytet.
Sveçla përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se është dërguar në mbajtje nga Policia e Kosovës.
“Unë mbiemrin e kam ‘Sveçla’, dhe nga një aksion simbolik që bëra, po më dërgojnë në mbajtje 48h. Por, kjo ndoshta është edhe Kosova që po e ëndërrojmë, pavarësisht mbiemrave të jemi të gjithë të barabartë. A jemi nuk e di? Veprimi im ishte për të shpërfaqur një pazar të madh në Prishtinë. Asgjë më shumë. Por, imagjinoni përpara me mbiemra pushtetarësh çka ndodhte. As me thirrë nuk kanë guxu, se lëre më shumë! Shihemi!”, ka shkruar Sfeçla.
Ndërsa sa i përket vandalizimit në sallën e mbledhjeve, ai thotë se është munduar ta ndal mikrofonin që “të ndalen projekte qe e dëmtojnë qytetin”,
“Për të pamundësuar vazhdimin e një seance të jashtëzakonshme klandestine të Kuvendit Komunal, ku do të votohej Plani Zhvillimor Komunal dhe zgjerimi i Zonës Ekonomike, në një moment kam provuar ta defunksionalizoi mikrofonin e Kryesuesit të Kuvendit”, ka shkruar Sfeçla në Facebook të hënën. /21Media