Shtyhet vendimi për sekuestrimin e dy vilave, Kryemadhi: Do të jetojmë në çadër!

Vendimi për sekuestrimin e vilave të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj është shtyrë për nesër në orën 11:00.

Pas qëndrimit rreth dy orë në gjykatë, Kryemadhi doli dhe tha për gazetarët se prokuroria nuk kishte marrë ekspertë.

Deputetja e PL-së tha se nuk bëhet fjalë për dy vila, por apartamente të cilat janë marrë me kredi. Ritheksoi se çështjen do e ndjekë në Strasburg.

Kryemadhi: Një nga gjërat ishte se arsyeja për sekuestrot e banesave se ju keni qejf t’u thoni vila, janë apartamente. Thanë pse ka marrë kredi, dhe unë shtrova një pyetje gjyqtares dhe prokurorit, po ju që keni marrë kredi, jepni me qira është e ligjshme apo e paligjshme? Prokuroria nuk ka marrë ekspertë financiarë, kanë qëndruar në kuadrin e thashethemeve gazetareske. Me thënë të drejtën pretendimi është se meqë dyshohet Ilir Meta për çështjen CEZ/DIA dhe mamaja jote ka marrë shtëpi në Mars 2010. Megjithatë janë justifikime, pse duhet të rezultonte tani kjo çështja e shtëpisë…

Në vlerën që kanë përmendur për të intimiduar se ju e dini mirë që në raste të tilla kur dosjet dalin në media, është për të bërë padrejtësi nëpërmjet linçimit të njerëzve. Bëhet fjalë për 310 mijë euro, ata mbledhin të gjitha transaksionet që kanë qarkulluar në bankë duke ia vendosur mamasë time. Unë do ndjek të gjitha procedurat ligjore se jam e bindur që kjo çështje do vazhdojë në Strasburg. Atë ditë që kemi pasur gjyqin në Apel, 5 minuta para se të vija 10 policë kanë zbarkuar në oborrin e shtëpisë time, ishte skenar intetesant për presion psikologjik. Mund të jetë edhe rastësi. Kanë ardhur dhe ditën tjetër, procesverbali u firmos nga unë dhe nëna ime.

Monika Kryemadhi ironizoi se pas sekuestrimit të vilave do të jetojë në çadër.

Kryemadhi: Do të jetojmë me çadër, po ato që jetojnë me çadra nga tërmeti. Do marrim një kontejner, do të na japë dikush një tokë ku do të vendosim kontejnerin.

Kryemadhi është nën hetim për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”. Ndërkohë për këto 3 vepra penale është lënë në burg ish-Presidenti i vendit Ilir Meta./vizionplus.tv

Back to top button