Dy aksidente trafiku në Badovc, Shahini: Të mirëmbahet rruga nga bora dhe ngricat

Dy aksidente trafiku kanë ndodhur mbrenda dy ditëve në rrugën Prishtinë- Gjilan. Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmë dhe një tjetër aksident në paraditën e të mërkurës në lokacionin e njëjtë afër devijimit të rrugës tek ura e Badovcit.
Ndërkaq në këtë zonë kërkohet të ndërmerren masa për sinjalizimin dhe të mirëmbajtja e rrugës me nga bora dhe ngricat.
Në lidhje me këtë çështje është deklaruar eksperti i komunikacionit Liridon Shahini. Ai thotë se në zonat se ku stërzgjatje të punimeve në rrugë ka lodhje të ngasësve, ku gjithashtu sipas tij mund të krijojë edhe aksidente të shumta.
“Në rrugën Prishtinë Gjilan përkatësisht në zonën e Badovcit ka pasur aksidente të shpeshta si rezultat i mos kujdesit të duhur nga ana e ngasësve të automjeteve dhe kushteve që ofron kjo rrugë. Në zonën ku kemi stërzgjatje të punimeve në rrugë (punimet në ndërtimin e urës) krijohet edhe lodhje e ngasësve që krijon edhe numer të shtuar të aksidenteve. Tejkalimet e shpejtësisë dhe mos respektimi i rregullave të përgjithshme të komunikacionit, mungesa e pajisjeve dimërore në automjete dhe mos përshtatja me kushtet e rrugës sidomos gjatë sezonit dimëror e rritë numrin e aksidenteve”, tha Shahini.
Tutje eksperti i komunikacionit për portalin rtv21.tv apelon të gjithë qytetarët që kalojnë nga zona e Badovcit të kenë kujdes të shtuar.
“Qarkullimi i automjeteve në këtë zonë duhet të bëhet me kujdes të shtuar dhe duhet të merren masa që sidomos zona e punimeve të sinjalizohet me shenja shtesë të lajmërimit dhe të rrezikut, të ndriçohet zona dhe të mirëmbahet me kujdes të shtuar rruga nga bora dhe ngricat. Sezoni dimëror bora dhe ngricat krijojnë probleme në qarkullimin normal të automjeteve, mirpo gjatë ngasjes së automjeteve në borë duhet të rritet edhe kujdesi”, thekson Shahini.
Tutje sipas ekspertit të komunikacionit automjetet e rënda duhet të kenë me vete pajisje shtesë si zinxhirë për rrotat dhe gjithashtu të respektojnë kufizimet e veçanta për ngarkesën në kushte dimërore.
“Pajisjet dimërore të detyrueshme. Gomat dimërore. Është e detyrueshme që të gjitha automjetet të kenë goma dimërore nga 15 nëntori deri më 15 mars, pavarësisht nëse ka borë apo jo. Zinxhirët për borë, nëse rruga është e mbuluar me borë ose akull, automjetet duhet të kenë zinxhirë për rrota. Kontrolloni që automjeti të ketë lëng antifriz për xhamat dhe fshirëse funksionale për t’u siguruar që xhamat janë të pastra. Kufizimet e shpejtësisë, në rrugë të mbuluara me borë ose akull, shoferët duhet të ngasin më ngadalë se kufizimi i zakonshëm dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike. Ndriçimi dhe dukshmëria, në kushte me dukshmëri të ulët (mjegull, borë e dendur), është e detyrueshme të përdoren dritat e mjegullës. Distanca e sigurt, mbani një distancë më të madhe se zakonisht nga automjeti përpara, pasi rrugët e ngrira e zgjasin rrugën e frenimit. Automjetet e rënda duhet të kenë pajisje shtesë si zinxhirë për rrotat dhe të respektojnë kufizimet e veçanta për ngarkesën në kushte dimërore”, tregon Shahini. /21Media