KESCO siguron se do të ketë furnizim të qëndrueshëm me rrymë për festat e fundvitit

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar se ka importuar energji elektrike në vlerë prej rreth 50 milionë euro vetëm gjatë muajit dhjetor, për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për të gjithë konsumatorët, përfshirë edhe gjatë festave të fundvitit.
“Duke pasur parasysh rritjen e konsumit, i cili këtë vit ka arritur deri në 1500 MË, kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve për të kursyer energjinë elektrike aty ku është e mundur. Në veçanti, ngrohja me energji elektrike mbetet një ndër faktorët kryesorë të mbingarkesave në rrjetin elektroenergjetik. Për të garantuar një furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë, kursimi i energjisë elektrike është jetik, sidomos gjatë periudhave të pikut të konsumit. Për të qenë pranë konsumatorëve tanë edhe gjatë natës së ndërrimit të viteve, KESCO ka aktivizuar ekipe shtesë në Qendrën e Thirrjeve, të gatshme për të ofruar përgjigje të shpejtë dhe për t’ju informuar mbi çdo situatë të mundshme në rrjet”, ka njoftuar KESCO.
KESCO ka apeluar që të kontribuohet në kursimin e energjisë dhe, aty ku është e mundur, të përdoren alternativa të tjera për ngrohje, si sobat me dru apo ngrohësit me pelet
“Kursimi i energjisë është thelbësor për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm dhe për të kaluar së bashku sfidat e dimrit. KESCO ju uron një Vit të Ri të lumtur dhe të begatë, pranë familjeve tuaja. Gëzuar Vitin e Ri 2025!”, ka përfunduar KESCO./21Media