Anulimi i fluturimeve, Aeroporti e Aliu dalin me arsyetime të ndryshme

Si pasojë e mjegullës sot dhe dje në Aeroportin e Prishtinës janë anuluar disa fluturime.
Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, ka thënë se dhjetëra fluturime janë anuluar pasi që dukshmëria ka qenë nën 50 metra.
Sipas saj, që nga dej janë anuluar 42 fluturime.
“38 fluturime janë anuluar ditën e djeshme. Nga to disa janë divertuar në aeroportet fqinje. Sot janë anuluar 4 fluturime deri më tani”, ka theksuar Gara ndër tjera.
Kurse, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka dhënë sqarime rreth anulimit të fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës për shkak të mjegullës.
Përmes një postimi në Facebook, Aliu ka bërë të ditur se Aeroporti i Prishtinës ka të instaluar dhe funksional sistemin e avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash.
Por, ai thotë se fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.